Armando Broja

Një muaj jashtë, Broja në dyshim për Moldavinë

Duket si kohë e gjatë, por pas 4 ditësh Armando Broja plotëson një muaj që nuk ka zbritur në fushë.

Sulmuesi i Kombëtares ka luajtur për herë të fundit më 7 tetor në takimin Burnley – Chelsea, teksa në pushim u zëvendësua nga Pochetino. Padyshim që rikthimi i tij ishte gradual dhe klubi anglez nuk u nxitua në asnjë moment, por ajo që mbetet disi mister është se Broja nuk po lë mbrapa shqetësimet që ka në gjurin e operuar. Ai mungoi në dy takimet që Kombëtarja luajti në muajin tetor, si edhe tri ndeshjet e radhës me blutë, ndaj Arsenalit dhe Brentfordit në kampionat dhe Blacbourn në Kupën e Ligës.

Në fundjavë, Chelsea do të luajë derbin me Tottenhemin, teksa nuk dihet nëse Broja do të jetë i gatshëm apo jo. Me këtë situatë dhe me kalimin e ditëve, mbeten fiks dy javë nga përballja e parë që ekipi kombëtar do të luajë në Moldavi dhe këtu vihet në dyshim edhe pjesëmarrja e tij.

Patjetër që 22-vjeçari pritet që të jetë në listën e Silvinhos për dy takimet e radhës, por nuk dihet nëse do të rrezikohet nga klubi i tij duke qenë se situata me gjurin është shqetësuese për momentin. Natyrisht pas një qëndrimi aq të gjatë jashtë fushave, rikthimi ka edhe disa probleme të vogla, derisa futbollisti të arrijë të kapë formën maksimale.