AIP

Një ministri e dy komuna u gjobitën këtë vit nga AIP-ja – Rritet numri i ankesave nga qytetarët

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Komuna e Shtërpcës dhe ajo e Fushë-Kosovës, janë institucionet e gjobitura nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) për moslejim të qasjes në dokumentet publike, ka bërë të ditur komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku.

Komuna e Fushë-Kosovës është gjobitur nëntë herë nga ky institucion, e cila nuk ka arritur as pas shqiptimit të gjobave të ofrojë qasje në dokumentet publike.

Komisionerja e AIP-it, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka thënë për Ekonomia Online, se gjoba më e vogël është 1 mijë euro deri te më e larta katër mijë euro.

“Gjobat e shqiptuara te qasja në dokumente publike është një për Ministrinë e Infrastrukturës, një për Komunën e Shtërpcës dhe të gjitha gjobat tjera janë për Komunën e Fushë-Kosovës, që fatkeqësisht kemi hasur në një rezistencë të vazhdueshme që të mos jepet qasja dhe normalisht edhe përkundër të gjitha diskutimeve që i kemi pasur edhe konsultimeve në kuptimin zyrtar përmes shkresave por edhe takimeve, nuk kemi arritur që t’i realizojmë të drejtat e qytetarëve për të pasur qasje, përçka edhe ka rezultuar që sot Komuna e Fushë-Kosovës brenda vitit 2023 t’i ketë nëntë gjoba”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.

“Meqë shkeljet kanë qenë të natyrës së njëjtë edhe thjesht komunikimi ndër zyrtar ka qenë i njëjtë, gjoba më e ulët është 1 mijë euro, tjerat janë katër mijë për secilën. Për secilën është nga katër mijë euro, që nëse mblidhen në total del një shumë jo e vogël”, ka thënë tutje ajo.

E sa i përket ankesave ndaj institucioneve, numri total i tyre shkon në 676. Disa janë për mohim të qasjes në dokumente publike e disa për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë vitit 2023 ka pranuar në total një numër prej 676 ankesave në të dyja shtyllat, edhe në te mbrojtja dhe te qasja. Te qasja në dokumente publike, numri i ankesave është 560, ndërsa te mbrojtja është 116 ankesa, që do të thotë se vetëm në dy ditët e fundit kemi pranuar te qasja në dokumentet publike 28 ankesa e që deri në fund të vitit, ky numër edhe mund të rritet”, u shpreh Sogojeva-Dermaku.

Ajo ka treguar për natyrën e ankesave që janë bërë në këtë institucion, e që kanë të bëjnë me mohimin e qasjes në dokumentet zyrtare, me procedurat e rekrutimit etj, raporton EO.

“Natyra e ankesave që parashtrohen në AIP janë prej më të ndryshmeve, duke filluar prej mohimit të qasjes në dokumente që kanë të bëjnë me procedurat e rekrutimit, pastaj në emra të komisione të ndryshme që ka vendimmarrje, në formularët apo në dokumente të cilat bëhen vlerësime qoftë të tenderëve apo vlerësime tjera për çështje të caktuara me interes të përgjithshëm, duke përfshirë edhe raportet e auditimit”, u shpreh ajo, teksa ankesa kanë pranuar edhe sa i përket vendosjes së kamerave.

“Nuk ka ndërrim prej vitit të kaluar sa i përket natyrës së ankesave, përçka vërehet këtë vit është se numri i qytetarëve është shumë më i madh se sa vitin e kaluar që bëjnë ankesë dhe i drejtohen Agjencisë për t’u realizuar e drejta për qasje në dokumentet publike. Ndërsa sa i përket mbrojtjes së të dhënave, është kryesisht këtë vit për dallim prej viteve të kaluara, vazhdon të mbeten ankesat ndaj vendosjes së kamerave dhe marrjes dhe përpunimit të të dhënave nga kamerat”.

VIDEO BONUS: Xhafer Gashi: Sondazhet flasin për një rritje të madhe të LDK-së