Në mëngjesin e sotëm, deputeti i VV-së Ardian Gola është sulmuar nga ana e organizatës që drejtohet prej analistit Rron Gjinovci. Golës në mbrojtje i doli një deputet tjetër i VV-së si Haki Abazi që ndau përfundimisht rrugët me Albin Kurtin. Çka ndodhi?

Deputeti Gola që kryen edhe funksionin e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim u vendos në një kalë ku nënkuptohej që “propozimet e tij për ligjin për agjencinë e akreditimit”.

ORCA e Gjinovcit kritikoi draftin e hartuar me disa propozime nga deputeti i VV-së Gola.

Ndaj këtij deputeti, kjo organizatë hedh akuza të shumta mes të cilave edhe të tilla që nënkuptojnë se ai përmes lëvizjeve të tij mund t’i jepte dobi sektorit privat të arsimit të lartë.

“Të gjitha këto ndërhyrje janë bërë me qëllim që t’ia marr Agjencisë rolin kryesor që ka e që është përcaktimi i kritereve të akreditimit të cilat përcaktohen ekskluzivisht nga manualet e akreditimit që i nxjerrë Agjencia e Akreditimit, që burojnë nga standardet evropiane të përcaktuara nga ENQA dhe EQAR (standardet ESG).” – thuhet nga kjo organizatë.

Për më keq, ORCA dyshon se prapa kësaj përpjekje qëndron edhe ministrja Arbërie Nagavci, shkruan Nacionale.

As Gola e as Nagavci nuk e kanë komentuar aksionin e sotëm të organizatës që drejtohet nga analisti Gjinovci.

Hyn Haki Abazi

Ardian Gola ishte i vetmi deputet i Vetëvendosjes që nuk votoi PRO shkarkimit të Haki Abazit si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme. E, Abazi u fut edhe në këtë përplasje me anë të një statusi… me gjuhë të rëndë.

Ai u shpreh se “sulmi ndaj deputetit Ardian Gola është qëllimkeq dhe i padrejtë.” Më pas, ai pati edhe një fjali mjaft interesante:

“Në fakt, i duan deputetët e kryetarët e komisioneve me qenë analfabetë e mos me pasë njohuri e kapacitet me analizu dhe me shqyrtu asnjë gjë kritike”.

Abazi nuk tregoi se “kush nuk e donte” një gjë tillë, pasi jo më larg se para pak ditësh ishte shkarkuar nga Vetëvendosje prej Komisionit për Punë të Jashtme.

Megjithatë, Abazi edhe bëri një sulm ndaj z. Gjinovci dhe organizatës së tij duke uthënë që “konfirmohet se Gola po e bën punën e vet si duhet e dikujt ka rrezik me iu “heq tortja nga goja”.

Për më shumë, ai sulmoi edhe personalisht Gjinovcin duke thënë: “kur sulmohet një deputet si Ardian Gola duhet me pru fakte dhe me u bë nga një njeri apo institut i nivelit të tij”

Dëgjimet publike për projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim kishin nisur nga Komisioni i udhëhequr nga Gola qysh para një viti (prill 2022).