Një këmbësor goditet për vdekje nga vetura në Sllatinë, Policia jep detaje

Një person ka humbur jetën pasi është goditur me veturë në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, konkretisht në fshatin Sllatinë, mbrëmjen e së shtunës.

Lajmin e ka konfirmuar Bajram Krasniqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës, teksa ka njoftuar edhe për arrestimin e drejtuesit të automjetit.

“Rreth orës 20:35, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Sllatinë). Në aksident është përfshirë një veturë nga e cila dyshohet se është aksidentuar një këmbësor”, ka thënë Krasniqi.

“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar se  këmbësori është pa shenja jete. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në polici për të vazhduar me procedurat e parapara për raste të tilla”.