Kumanovë

Një familje, 6 portierë

Ismeti, Xhemali dhe Agimi tregojnë se ky sport vazhdon të trashëgohet te djemtë e tyre, pasiqë në shtëpi më së shumti flasin rolin e portierëve. “Kjo është një ‘sëmundje’ që duhet të përcillet deri sa të shërohemi”, shpjegon Ismeti.

Futbolli, sporti më popullor në botë që bart edhe epitetin “gjëja sekondare më e rëndësishme”, edhe në Maqedoni ka fansat e tij. Disa pëlqejnë të trajnojnë dhe të luajnë, disa të tjerë më shumë pëlqejnë të jenë në tribuna apo para ekraneve të televiorit dhe të japin mbështetje për klubet që favorizojnë.

Ndër shumë histori rreth futbollit, ka një histori të veçantë me një familje kumanovare prej pesë vëllezërve në të cilën ekziston një traditë e portierëve, ku përpos tre vëllezërve të cilët kanë qenë portierë nëpër shumë klube, tradita është duke vazhduar edhe tek disa djemë të tyre.

Ismet Zeqiri (49), Xhemal Zeqiri (54), si dhe Agimi Zeqiri (56) i cili u largua nga sporti për shkak të perspektivave të tij për të ardhmen, kanë kaluar një karrierë disa vjeçare nëpër klube të ndryshme të futbollit brenda Maqedonisë, por edhe jashtë. Në bisedën e tyre për Anadolu Agency (AA), ata tregojnë se ky sport vazhdon të trashëgohet te djemtë e tyre, pasi që në shtëpi kur mbidhen të gjithë së bashku më së shumti flasin rolin e portierëve dhe përvojat e tyre në jetë si portierë në klubet që kanë kaluar.

Ismeti është më i riu nga vëllezërit, i cili mbi 15 vite ka qenë i angazhuar si portier nëpër klube të ndryshme, përfshirë edhe klubin futbollistik Bashkimi në kohën kur fitoi Kupën e Maqedonisë në sezonin 2004/2005. Ai ende merret me këtë sport dhe aktualisht është bashkë-menaxhues i shkollës së të rinjve të klubit Millano në Kumanovë.