Luftëtarët e huaj

Një britanik, një kroat dhe një suedez mund të dënohen me vdekje në Donjeck

Ky proces gjyqësor ka nisur më 15 gusht, kanë thënë mediat ruse.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, “gjyqtari” i rastit, ka thënë se akuzat kundër tre burrave, suedezit, Matias Gustavsson, kroatit, Vjekosllav Prebeg, dhe britanikut, John Harding, mund të jenë të dënueshme me vdekje.

Liderët e asaj që separatistët e quajnë, Republika Popullore e Donjeckut, kanë akuzuar javën e kaluar burrat Gustavsson, Prebeg, Harding dhe britanikët, Andrew Hill dhe Dylan Healy se u janë bashkuar forcave të armatosura të Ukrainës.

Sipas tyre, të pesë burrat mund të akuzohen se janë mercenarë, se kanë përgatitur aktivitete terroriste dhe aktivitete për të fituar kontroll.

Muajin e kaluar, Ministria e Jashtme britanike e ka dënuar “shfrytëzimin” e të burgosurve të luftës dhe civilëve për qëllime politike, pas kapjes së Healyt dhe Hillit.

Britaniku tjetër, Paul Ury, i cili është zënë bashkë me Healyn dhe Hillin, ka vdekur teksa ka qenë në mbajtje të separatistëve.

Në fillim të muajit qershor, dy britanikë tjerë – Aiden Aslin dhe Shaun Pinner – dhe si marokeni – Saaudun Brahim – janë dënuar me vdekje nga separatistët.

Të tre është thënë se i kanë shërbyer ushtrisë ukrainase kur janë zënë nga separatistët pro-Rusisë, teksa kanë qenë duke luftuar forcat ruse.

Britania, Kombet e Bashkuara, Ukraina dhe Gjermania kanë dënuar ndëshkimet me vdekje derisa Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut e ka paralajmëruar Moskën të sigurohet që të mos kryhen dënimet me vdekje.

Qeveria britanike insiston se si anëtarë legjitimë të forcave ukrainase, ata duhet të trajtohen si të burgosur të luftës, siç edhe e parasheh Konventa e Gjenevës.

Qeveria ukrainase ka krijuar kanale rekrutimi dhe perëndimorët janë nisur drejt Ukrainës për ta mbrojtur këtë shtet, pas nisjes së luftës së Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.