Kosovë-Serbi

“Një bombë në mes të Evropës”| Ekspertët: Konflikti midis Kosovës dhe Serbisë mund të përshkallëzohet

Revista në gjuhën gjermane “Cicero” i ka kushtuar një artikull të gjatë rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, aktiviteteve destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjeve të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për të parandaluar shpërthimin dhe ripërtëritjen e konflikteve të armatosura në këtë rajon të ngjeshur nga tensionet.

Në një artikull të përbashkët nga dy ekspertë eminentë të sigurisë – David Shedd dhe Ivana Stradner – thuhet se konflikti Kosovë-Serbi mund të përshkallëzohet për shkak të aktiviteteve destabilizuesve të presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, derisa fuqitë perëndimore janë të fokusuara në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Autorët e artikullit të titulluar “Një bombë në mes të Evropës” sugjerojnë se ekzistojnë shumë indikacione se incidentet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe shkojnë përtej tensioneve të njohura të viteve të fundit, duke përfshirë fushatën dezinformuese të Rusisë për të ngjallur mosbesimin e serbëve kosovarë dhe për të përhapur mesazhe luftënxitëse.

Shedd the Stradner kanë tërhequr vërejtjen se presidentit serb nuk i duhet një fushatë ushtarake në Kosovë për të çuar përpara projektin e destabilizimit të rajonit dhe poshtërimit të NATO-s, sepse, sipas tyre, ashtu sikurse presidenti rus, ai përdor paramilitarët për të arritur qëllimet. Një shembull është sulmi terrorist i 24 shtatorit nga paramilitarët serbë në veri të Kosovës.

Vuçiq përshkruhet nga autorët si një nacionalist i djathtë, i cili, gjatë luftërave ballkanike ka inkurajuar Serbinë të kryej krime në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Në artikullin e ekspertëve amerikanë thuhet se presidenti serb ka një urrejtje të veçantë për shqiptarët e Kosovës, duke kujtuar se ai ka shërbyer në regjimin fashist të Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90.