Një barazim i shëmtuar, Inter rrezikon Champions

Inter ka shpërdoruar një mundësi shumë të mirë për t’iu afruar objektivit Champions League teksa ka barazuar 0-0 me Udinese-n.

Skuadra e Spalletti-t nuk ka treguar grindën dhe vendosmërinë e duhur dhe sidomos para portës kundërshtare është treguar e dobët.

Nga ana tjetër, pika vlen shumë për Udines-n që po lufton për mbijetesë.

Megjithëse zikaltrit dominuan mbajtjen e topit, ata e kishin shumë të vështirë të krijonin hapësira në prapavijën e vendasve të cilët mbronin thellë dhe me shumë lojtarë.

Udinese mundohet të tregohet i rrezikshëm me anë të kundërsulmeve, por edhe mbrojtësit e Inter ishin të vëmendshëm duke mos lejuar surpriza.

Pas pushimit Inter rrit presionin dhe Udinese mendon vetëm të mbrojë pikën shumë e rëndësishme për mbijetesë.

Spalletti lëviz duke aktivizuar Icardi-n dhe pak më vonë Keita dhe mundësitë ishin aty, madje Keita kishte një mundësi të artë në fund të takimit, por portieri i vendasve bën mrekullinë.

Në fund, Inte ka bërë shumë gabime të thjeshta dhe nuk meriton më tepër se ky barazim i shëmtuar.