Seanca e Kuvendit

Niveli i diskutimeve “konstruktive” në Serbi: Vuçiq akuzoi opozitën për vjedhjen e letrës higjienike në Kuvend, përgjigjet Gjilas

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq akuzoi sot opozitën për “vjedhjen e letrës higjienike nga Kuvendi i Serbisë” për të “shënjestruar Ana Bërnabiqin”.

Për këto akuza ka reaguar kreu i SSP-së, Dragan Gjilas, i cili ka shkruar se Aleksandar Jovanoviq Çuta nuk ka vjedhur asgjë, transmeton Ballkani.info.

Në Bruksel, ku mori pjesë në Samitin Ndërkombëtar për Energjinë Bërthamore, Vuçiq përgëzoi Ana Bërnabiqin për zgjedhjen e saj në postin e kryetares së Kuvendit të Serbisë, duke vlerësuar se opozita nuk do të vijë kurrë në pushtet nëse sillet si të mërkurën në seancën e parlamentit.

“Kanë vjedhur letra higjienike nga ambientet e Kuvendit dhe kanë vënë në shënjestër Ana Bërnabiqin dhe të tjerët që ishin në atë tavolinë, nëse kjo është Serbia që po ua propozojnë qytetarëve, besoj se nuk do të vijnë kurrë në pushtet dhe e përgëzoj Anën, sepse ajo ka një punë të vështirë përpara”,  u tha Vuçiq gazetarëve në Bruksel.

Vuçiq theksoi se nuk është e diskutueshme që ai do të jetë tema kryesore e debatit në parlament dhe se nesër në mbrëmje po përgatitet t’u përgjigjet atyre që pretendojnë se e ka rregulluar linçimin e tij në Srebrenicë, gjegjësisht se vëllai i tij vesh rroba të shtrenjta.

“Studenti më i mirë i Fakultetit Juridik nuk ka thënë të vërtetën, në Kodin Penal neni 203 paragrafi 1 shkruhet se që diçka të jetë vjedhje nuk mjafton vetëm t’i marrësh sendet e luajtshme tjetrit, por duhet të jetë qëllimi për të përfituar paligjshëm”, ka shkruar Gjilas në rrjetin social X.

Në rastin e përmendur nga Vuçiq, sipas Gjilasit nuk ka qenë kështu.

“Kolegu (Aleksandar) Jovanoviq e mori letrën higjienike dhe më pas e përdori sipas nevojës së tij”, shtoi Gjilas. /Ballkani.info/