Nisja e hetimeve nga AKK-ja, PDK: Të shkarkohet ambasadori Berishaj, pushteti t’i mbajë duart larg nga hetimet

Zëdhënësi i Partisë Demokatike të Kosovës, Faton Abdullahu në një konferencë për media ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas ngritjes së kallëzimit penal kundër tij nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Abdullahu i pa deklarimet e presidentes, Vjosa Osmani, si dhe kryeministrit, Albin Kurti, karshi kësaj çështjeje, si “interferim të pushtetit në institucionet e pavarura, siç janë shteti e prokuroria”.

“Si ka mundësi që presidentja, edhe pse ka premtuar në një konferencë për shtyp se do të kërkojë llogari nga ambasadori Berishaj, se e ka ftuar atë që të përgjigjet me shkrim, të vijë në Prishtinë e ta tregojë rastin gjerë e gjatë, kjo nuk ka ndodhur. Pse? Si ka mundësi që presidentja, pse dyshja kryeministri dhe presidentja, me kaq zell janë munduar me çdo kusht ta eklipsojnë këtë ngjarje, tipike korruptive. Pse presidentja ka deklaruar se “unë i besoj ambasadorit Berishaj”, ndërkaq kryeministri aktual e ka quajtur atë “malësor trim”? Të dy këto qëndrime, ishin ndërhyrje e pastër në sistemin e drejtësisë. Ne duam të besojmë shumë dhe kërkojmë me ngul të jepen përgjigje të faktuara mbi atë se ku mbetën 600 mijë euro, të këtij personi i cili ka qenë anëtar i VV-së dhe punëtor i kësaj partie në Slloveni dhe gjithandej Europës?”, deklaroi ndër të tjera ai.

“Ne kërkojmë që ambasadori Berishaj të shkarkohet urgjentisht dhe të mundësohet hetimi i drejtë dhe i pa penguar. Kemi të drejtë të dyshojmë se do të ketë interferim të pushtetit populist në institucionet e pavarura, siç është prokuroria dhe shteti. Kërkojmë nga pushteti t’i mbajë duart larg nga hetimet, sidomos tash kur kemi parasysh zellin populist që është treguar”, potencoi më tej zëdhënësi i PDK-së.

Ndryshe, sikurse LDK, ashtu edhe PDK ka konfirmuar se Agjencia Anti-Korrupsion ka ngritur kallëzim penal ndaj rastit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci.