Stadiumi olimpik

Nisin punimet në “Adem Jashari”, stadiumi pritet të hapet në fillim të vitit 2026

Tre ekskavatorë, kamionë e mjete të tjera të punës ishin të hënën në fushën e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë. Në objektin gjigant buzë lumit Ibër, që dukej si gërmadhë për disa vjet, ka nisur puna. Në fakt ka vazhduar pas ndërprerjes shumë të gjatë.

Nisja e punëve është pritur me entuziazëm te tifozët mitrovicas të futbollit, por edhe tek i gjithë komuniteti sportiv në vend. Kosova aktualisht nuk e ka asnjë stadium që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Stadiumi në Prishtinë, “Fadil Vokrri”, është mbyllur me qëllim që të rinovohet fusha. Ai nuk pritet të hapet deri në vjeshtë.

Në “Adem Jashari” janë luajtur miqësoret e para të Kosovës, të pranuara nga FIFA. Stadiumi ishte rinovuar dy herë, por jo si duhet. Një rinovim i plotë kishte nisur në pranverën e vitit 2020. Kishte shtyrje të afateve e më pas dolën telashe të tjera. Dhe për shumë e shumë muaj nuk u punua fare në stadiumin e madh në Mitrovicë.

Tri ditë më parë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, njoftoi se çdo gjë ishte gati për nisjen e punimeve.

“Gjithçka gati për nisjen e punimeve në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. E gjatë dhe e mundimshme ishte rruga për t’i përmbyllur të gjitha procedurat që do të duhej të kishin mbaruar në vitin 2019, para nisjes së renovimit. Shpronësimet kanë përfunduar, kushtet e ndërtimit dhe leja ndërtimore janë siguruar, borxhet e akumuluara ndër vite janë paguar, kontrata me operatorin është zgjatur, zotimi për buxhet është siguruar. Punët do t’i monitorojmë në baza ditore, asnjë vonesë nuk do të tolerohet. Kosova do të bëhet edhe me dy stadiume të certifikuara ndërkombëtarisht”, ka shkruar Çeku.

Dhe të hënën u ndezën ekskavatorët. Punëtorët që ishin të angazhuar kanë punuar në pastrimin e hapësirës së stadiumit, që do të rinovohet plotësisht. Fillimisht ka punë për pastrim e më pas fillon rinovimi gradual i objektit që është dëmtuar e vjetërsuar.

Punët nuk pritet të përfundojnë shpejt. Nëse çdo gjë shkon sipas planit, stadiumi “Adem Jashari” do të pranojë futbollistët në fund të vitit 2025 apo në fillim të vitit 2026.

“Plani dinamik parasheh që punimet të zgjasin 22 muaj. Stadiumi do të jetë i kategorisë IV, sipas kritereve të UEFA-s. Rinovimi do të kushtojë mbi 12.5 milionë euro”, ka thënë të hënën për KOHËN Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në MKRS.

Pra, stadiumi i ndërtuar shumë dekada më parë e që njihet si stadiumi i Trepçës do të jetë arenë e ndeshjeve ndërkombëtare, duke përfshirë ato të përfaqësueseve të Kosovës.

Shpresat janë që punimet do të kryhen si duhet, kontrollimi i tyre do të jetë i rregullt e më pas edhe mirëmbajtja do të jetë e duhura, në mënyrë që stadiumi në Mitrovicë të mos ketë nevojë për renovim për një kohë më të gjatë. Deri më tani ka pasur shumë lëshime në ndërtimet e renovimet e bëra në infrastrukturë sportive.

Renovimi i stadiumit pritet t’i japë hov zhvillimit të futbollit në Mitrovicë dhe në regjionin e saj. Trepça, dikur klub me nam dhe me shumë peshë në futbollin kosovar dhe jo vetëm, garon në kategorinë e dytë dhe thuajse pa gjasa për të hyrë në Superligë. Trepça aktualisht është pa shtëpi dhe luan ku e si mundet. Telashet e saj pritet të përfundojnë pas afro dy vjetësh.