Nisin hetimet për dyshimet nga videoja ku shihen duke u mbushur nga diaspora mbi 50 fletëvotime

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore, duke iniciuar si rast paraprak penal, pas publikimit të një videoje ku shihen disa persona duke mbushur mbi 50 fletëvotime nga diaspora.

Në një përgjigje me shkrim, këtë e ka konfirmuar Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Pas publikimit në disa portale informative, lidhur me qarkullimin e një video- incizimi, e cila ka të bëjë me tre persona të përshirë në votimin dhe procesin zgjedhor që po zhvillohet në diasporë, për t’i dërguar në Zyrat e KQZ-zë në Prishtinë, përmes postës, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore, duke iniciuar si rast paraprak penal”, ka thënë Lutfiu.

Lidhur me këtë rast, sot gjatë ditës ka reaguar edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.

Daka ka thënë se duhet argumentuar nëse kjo video është e vërtetë, derisa thotë se është shqetësuese dhe shton se votimi jashtë Kosovës mund të cenohet lehtë. Ajo më tej ka thënë se KQZ-ja do të bëjnë vërtetimin e dokumenteve, ndërsa çështja e manipulimit do të jetë në dorën e policisë dhe prokurorisë.

Nga ana tjetër, sot janë mbledhur strukturat drejtuese të Policisë së Kosovës, ku ndër të tjera u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

loading…