Nis testimi, policët në Angli mund “të fluturojnë” në ndjekje të kriminelëve

Policia mund të fillojë të përdorë “jet suit” me 1000 kuaj fuqi, për të fluturuar nëpër ajër dhe për të kapur kriminelët. Ky është projekti futuristik që qendra kërkimore e Porton Down në Angli po kërkon të aplikojë në vitet në vijim.

Zyrtarë të lartë të policisë dhe qeverisë kanë nisur t’i shohin këto “kostume fluturuese” si një zhvillim teknologjik dhe shkencor që mund të ndihmojë në luftimin e krimit dhe terrorizmit.

Ndonëse ende nuk ka ndonjë plan të menjëhershëm për të blerë dhe përdorur këto veshje, kryetari i Këshillit të Shefave të Policisë, Martin Hewitt, tha se ky projekt paraqiste disa “mundësi të rëndësishme dhe emocionuese” për të identifikuar se ku mund të përdoret në punën e policisë. Fillimisht kjo ide u pa si mjaft “fantastiko-shkencore”, por vërtet mbresëlënëse dhe me shumë potencial.

“Kjo mund të lehtësojë oficerët e policisë të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre më mirë, më shpejt, t’i mbajnë njerëzit më të sigurt. Ne jemi të emocionuar për të parë se si do të zhvillohet ky projekt dhe nëse do të japë rezultat në punën e policëve.”