Lajmi i fundit

Nikçi për operacionin e gjerë: Janë bastisur disa lokacione, katër persona janë arrestuar për Fajde, Detyrim e Rrëmbim

Një operacion i gjerë policor është duke u zhvilluar në rajonin e Pejës e Prishtinës, deri më tani katër persona janë arrestuar nën dyshimet për Fajde, Detyrim e Rrëmbim, ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Pejës.

Ai tha se deri më tani janë bastisur disa lokacione që ndodhen nën kompetencë terriotoriale të Prokurorisë së Pejës.

“Me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamentit të Krimeve të Rënda, Policia e Kosovës ka bastisur disa lokacione në kompetencë territoriale të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe janë arrestuar dhe ndaluar me udhër të Prokurorit të Shtetit 4 persona të dyshuar për veprat penale Fajde, Detyrim dhe Rrëmbim”, tha Nikçi për Express.

Policia e Kosovës tha se aksioni në fjalë erdhi si rezultat i hetimeve intensive nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, të asistuar nga njësitet relevante policore, në rajonin e Pejës dhe Prishtinës.