Ngushëllimet e përgjakura!

Shkruan: Kimete Berisha

Nuk më pëlqen të shkoj në të pame.
O, i urrej adetet, mundohem t’u shmangem, të më zëvendësoj motra e madhe…
por i praktikoj, sepse dua të dukem ‘normale’.
Një ‘shoqes’ i vdiq dikush.
Shkova në të pame, nuk u ndava nga ‘shoqnia’ (qysh më ka porositur nana, kurrë mos u ndaj nga shoqnia).
E kam shumë mërzi afërsinë, s’më pëlqen ta shtrëngoj dorën me njerëz që s’i njoh, përveç me kë dua unë.
Si të isha ekstremiste fetare, e urrej afërsinë që ka mbetur adet, më duket shumë personale të përshëndetem me dorë…
por, edhe pse më pengon jashtëzakonisht shumë (vrap alkooli, dezinfektimi),
prap e bëj – sepse kam nevojë të dukem normale.
Një ‘shok’, si më kryesori, nuk erdhi me ne, me arsyetimin se ‘s’kishte kohë’ të vinte në atë të pame.
Nuk kaluan shumë ditë, ‘shokut’ kryesor i vdiq dikush.
Dhe, normale siç jam (gjithmonë duke bërë gjëra që s’më pëlqejnë) – shkova në të pame.
Shoqja (tek të cila nuk erdhi shoku kryesor në të pame) tash ajo nuk donte të vinte me ne.
Tha: ai s’ka qenë tek unë.
Fola me nanën time.
E pyeta: oj nanë, motra ime, tregom a shkohet në të pame tek personi që nuk të ka ardhur!
Ajo tha: Po shkohet. Nuk duhet të bëhemi të gjithë të njejtë, çika jem.
Atë që më tha nana, ia thashë shoqes. Erdhi edhe ajo.
Kur mua më vdiq një shok, ishte vdekja e parë që ma thau gojën.
E mbaj mend secilin që më ka ngushëlluar.
Dhe, njëri prej ‘të njofshmëve’, bash ai që do të duhej të më ngushëllonte i pari, sepse me të pija kafe gati çdo ditë – nuk më ngushëlloi.
Kur e kam takuar pastaj, nuk i kam bërë zë, jam sjellur krejt normal me të (ishalla nuk po e lexon këtë shkrim).
Nuk ka kaluar gjatë dhe atij i ka vdekur nana, me të cilën ishte i lidhur tepër shumë.
Kur e kam dëgjuar lajmin, menjëherë e mora telefonin ta thirr e ta ngushëlloj, por në çast, si vetëtima, më rá në mend se ‘si ai mua nuk më ka ngushëlluar’ dhe jam zmbrapsur.
Pra, njeriu është i mirë kur ndjen, derisa nuk mendon.
Këshilla e nanës sime vleu për vajzën e dikujt tjetër, jo për mua.
Nuk e ngushëllova, me vetëdije të plotë, si revansh ndaj tij që nuk më ka ngushëlluar.
Nuk kisha nevojë të bëhem ‘më e mirë’ se ai e t’ia mund me mirësi, duke e ngushëlluar.
S’dua të jem e mirë.
Të jesh tepër e mirë do të thotë të jesh aq dorëlëshuar sa që të mos konsiderohesh më bamirës, por dorëlëshuar…
E kam parë dhjetëra herë masandej, kemi biseduar për gjithçka tjetër përveç për nanën e tij.
– Në gjithçka duhet të jesh i barabartë.
Nuk mund ta duash njeriun me zor.
Ti me bukë e ai me gurë.
Pse?
Je mazohiste ti, të pëlqen të të nënçmojnë e të të bëjnë të vuash, a çka është puna jote!
Ngushëllimet zyrtare të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit drejtuar Serbisë për vrasjet tragjike që ndodhin atje, janë moda më e re, që nisi me serbofilin Edi Rama.
Ishte në fushatë, duke kërcyer çyçek me një plak në një katund, u ndal ca çaste e ngushëlloi shtetin serb dhe u rikthye ia mori plisin nga koka një tjetër fukaraje dhe vazhdoi vallet tjera, ku dukej si lugat me mjekër.
Presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari (që e merr veten për Chaplin),
që nga dita e parë në pushtet merren me varreza masive dhe i shfrytëzojnë të vdekurit për politikë.
Politika e tyre nekrofike e ka bërë Kosovën si një shator për të pame, këtyre i mjafton ngushëllimi – pa drejtësi.
Këta nuk inicojnë drejtësi për viktimat.
Drejtësi e quajnë vajtimin.
Këta duan të bëjnë diferencën me serbët, t’i shfrytëzojnë të vdekurit e tyre për t’u dukur ‘të afërt’, njerëz të ngrohtë – t’i vardisen Serbisë.
Njeriu nuk e ngushëllon të panjohurin, nuk hyn shtëpi më shtëpi ku ndodhin të pamet, për të ngushëlluar!
Ngushëllimet duhet të jenë reciproke. Kur u hyn ngushëllimeve, duhet të marrësh statistika në krejt botën dhe t’i ngushëllosh të gjithë.
– (I mendoj gratë shqiptare që një nga një u hodhën në bunar, për t’i ikur përdhunimit nga ushtarët e milicia serbe…)
Askush nuk ka kërkuar falje për vrasjet e fëmijëve shqiptarë nga shteti serb.
A duhet të bëhemi si ata?
Jo.
Si ata bëhesh vetëm nëse vret si ata
që kanë vrarë.
Vetëm një shoqëri krimogjene si Serbia nuk pendohet së paku për vrasjen e 1500 fëmijëve shqiptarë nga shteti serb.
Por, duhet të mos ‘i duash’ të vdekurit pa u pajtuar me të gjallët.
– Çka ka presidentja që merret me kronikat e zeza dhe ngjarjet tragjike të Serbisë!
Nëse nuk i ngushëllon nuk do të thotë se ‘gëzohesh me të keqen’.
Ku – ku për atë që ushqehet me lajme të përgjakura.
Kur ‘ushqehesh’ me lajme të përgjakura, vjen dita vjell gjak.
Kujdes me çka ushqehesh.
Me çdo kusht dhe në të gjitha rastet duhet të jesh njeri i mirë.
Nuk ka shpëtim ai që nuk është i mirë.
Mjafton të mos bësh keq (për të qenë i mirë).
Nuk ke nevojë të vajtosh me zë që të dukesh i mirë.
Por, kur i ngushëllon zyrtarisht për ngjarjet tragjike që s’janë terroriste, nuk janë tragjedi natyrore etj. bën që të duket sikur Kosova është pjesë e Serbisë dhe aq shumë duhen mes vete sa i shkojnë njëra-tjetrës në të pame.
Kështu po sillet politika zyrtare e Kosovës.
Si familje e Serbisë.
Nuk mundët t’u bëni çare viktimave shqiptare të shtetit serb, asnjë pikë drejtësi për ta…tash keni marrë për detyrë t’ia qetësoni shpirtin Aleksandër Vuçiqit, duke i shfrytëzuar viktimat tragjike të Serbisë.
Nuk është kjo e natyrshme.
Është politikë nekrofile:
Politika zyrtare e Kosovës veç me të vdekurit komunikon.
Pa vdekur nuk të konsiderojnë njeri.
Nuk ka gjë më të shpifur se sa t’i vardisesh armikut, duke i përdorë viktimat e tij tragjike.
Nuk ka gjë më neveritëse se sa të shfrytēzosh pozitën shtetërore për ta ngushëlluar shtetin që ta mohon lirinë, ta mohon gjakun, shtetin që ka shfarosur familje të tëra shqiptare, që të ka vrarë e të ka lënë të pavarrosur.
Dhe, lëre që nuk është distancuar nga gjenocidi që ta ka bërë, por përditë të kërcënon me një gjenocid të ri.
Ngushëllimet zyrtare kanë ngjallur neveri sepse nuk ka reciprocitet në ngushëllime.
Kur viktima e ngushëllon vrasësin e vet për viktimat e veta…krijohet teatër i absurdit.
Shteti i Kosovës bisedon me
ministrin e Millosheviçit, pa kërkuar falje për krime dhe gjenocid ndaj shqiptarëve…plus i vardiset tash, duke ia vajtuar viktimat.
E, çlirimtarët e vet i ka çuar në burg, bashkë me Serbinë.
Tragjedia nisi kur kryeministri e glorifikoi vrasësin e shqiptarëve Oliver Ivanoviç…
të vdekurit politika shqiptare i përdorë si mjet politik.
Nuk përdoret i vdekuri për interesa politike.
Nëpërmjet të vdekurve dhe të vrarëve, kryeministri dhe presidentja (edhe Çaplin Konjufca), po e bashkojnë Kosovën me Serbinë.
Dhimbja vjen pas dashurisë.
Nuk mund t’i shprehesh dhimbje njeriut me të cilin je në luftë.
Nuk mund t’i shpreshësh dhimbje njeriut me të cilin nuk je pajtuar.
Baballarët e presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit (një ateist i përbetuar),
sikurse nana ime, i kanë mësuar fëmijët e tyre se ‘nuk duhet të bëhemi të gjithë njësoj’.
Unë, për dallim nga këta, nuk e kam dëgjuar nanën time.
Unë besoj në barazi.
Më do – të dua.
Ia mban nalt me mua – unë edhe më nalt.
Ia mban ultë me
mua – unë edhe më ultë.
E jap jetën për dinjitet.
Më ngushëllon – të ngushëlloj.
Më nënçmon – të nënçmoj.
Kur ma shlyen emrin – më mban mend deri sa të jesh gjallë.
Lajmi i fundit:
Në këto çaste,
Çetës së ngushëllimtarëve iu bashku edhe Avdullah Hoti, që është një si një ‘copë guri’ e ardhur nga njē tjetër kohë (dhe mendon se është politikan me perspektivë).
– Për herë të fundit, kur të ka dhimbt shpirti e të ka pikuar zemra gjak nga pikëllimi.
Trego drejt!
P.S. Shkoni në…..rrs.