Ngjarja e turpshme e Nurmagomedov, UFC: Mund t’i hiqet titulli

Ngjarja e turpshme pas përfundimit të duelit me Conor McGregor mund t’i kushtojë fituesit të tij, Khabib Nurmagomedov.

Ndaj sportistit nga Dagestani pritet të merren masa ndëshkuese me afat të shkurtër e të mesëm kohor. Një prej masave disiplinore që mund të aplikohen ndaj Nurmagomedov është heqja e titullit në UFC, e ai që foli për këtë mundësi ishte vet presidenti Dana White.

“Nuk mund të flas me siguri të plotë që Khabib do të vazhdojë të jetë kampioni i UFC-së”, tha Dana White.

“Hetimi po kryhet nga Komisioni Atletik i Nevadës. Mund të ketë sanksione, gjoba, pezullime, mund të imagjinojmë gjithçka. Guvernatori ishte këtu dhe u largua duke vrapuar nga ndërtesa dhe kjo nuk është diçka e mirë. Çanta e Khabib është mbajtur nga Komisioni, derisa kjo çështje të zgjidhet. Conor McGregor e mori të tijën, pasi nga analizimi i videove u vërtetua se nuk bëri asgjë në atë incident”, tha më tej ai.

Në të njëjtën kohë, Dana White konfirmoi se 3 anëtarë të stafit të Khabib Nurmagomedov u arrestuan për atë çfarë ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Las Vegas.