Ngacmoi seksualisht nusen e djalit: Gjykata merr këtë vendim për të akuzuarin

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve I.M, i cili ka ngacmuar seksualisht nusen e djalit të vet, si dhe ndaj B.M, bashkëshorti i viktimës i cili ka ushtruar dhunë në familje.

Sipas komunikatës, i pandehuri I.M nga data 24.01.2020 e në vazhdimësi gjer me datë 15.09.2020, ngacmon seksualisht personin tjetër dhe atë nusen e djalit të tij, në atë mënyrë që pasi kjo e fundit ishte martuar me djalin e tij, i pandehuri deri sa e dëmtuara ishte vetëm në shtëpi shkon dhe e ngacmon ndërsa e dëmtuara e refuzon deri sa nga shqetësimi i madh vendos ta lajmëroj policinë.

Me këto veprime i pandehuri I.M dyshohet se ka kryer vepër penale ngacmim seksual.

“I pandehuri B.M në vazhdimësi ndaj anëtarit të familjes, këtu të dëmtuarës me të cilën ishte e martuar që rreth dy vite, ushtron dhunë, keqtrajtim fizik dhe psikologjik në mënyrë sistematike duke ju drejtuar me fjalë të ndryshme dhe në mënyrë të vazhdueshme duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit për çka e njëjta detyrohet të marrë edhe qetësues. Me këto veprime i pandehuri B.M dyshohet se ka kryer vepër penale dhunë në familje. Të pandehurve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij vendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.