talenti i Dortmundit

Nga testi i matematikës direkt në gjysmëfinale të Championsit

Ëndërr e çdo futbollisti të ri është që një ditë të luajë për ekipin e parë të klubit të zemrës. Kjo ëndërr po realizohet për Kjell Waetjen. 18-vjeçari është te Borussia Dortmundi që nga ekipi U10.

Të shtunën ai ishte në fushë me profesionistët e Dortmundit, për herë të parë në Bundesligë, në ndeshjen ndaj Augsburgut. Ai u paraqit fuqishëm në fitoren 5:1 dhe bëri një asistim.

Por për Waetjenin rëndësi kanë edhe gjërat tjera. Ai vijon shkollën partnere të klubit. Dhe të martën kishte një provim në matematikë. Skuadra e Dortmundit të hënën udhëtoi për në Paris për gjysmëfinalen e Championsit me PSG-në.

A do të mungojë talenti pra në ndeshjen ndaj PSG-së? Absolutisht jo.

“Ai është i stresuar për provimet e shkollës së mesme dhe ka një provim. Do ta dërgojmë në Paris më pas”, ka thënë drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl, shkruan 20min.ch.

Ndeshja PSG – Dortmund zhvillohet sonte prej orës 21:00. /Ballkani.info