Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sqaron opinionin se pacientët në QKUK nuk kanë qenë dhe nuk janë të rrezikuar në mungesë apo problem të furnizimit me oksigjen, apo gazit medicinal.

Përmes një njoftimi për media, menaxhmenti i SHSKUK, përkatësisht drejtoria përmes sektorit teknik ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për furnizim të rregullt dhe pa ndërprerë me oksigjen CO2.

“Gjendja e furnizimit me CO2 është stabile dhe nuk asnjë problem, e këtë e dëshmojnë edhe klinikat që sot kanë kryer operacione, e që nuk është hasur në telashe.

SHSKUK, ka obliguar sektorin teknik të monitorojë 24 orë sistemin e furnizimit me gaz medicinal dhe gjendje teknike të sistemit të furnizimit”, thuhet në njoftimin për media.

Edhe në mjekimin intensiv qendror furnizimi është i mirë dhe janë ndërmarrë masat e nevojshme.

Ky reagim i QKUK’së erdhi pas deklaratave të deputetit dhe neurokirurgut Haxhi Avdyli

Ai tha se Klinikat e QKUK-së po rrezikojnë të mbesin pa oksigjen për shkak të defekteve në sistemin qendror të furnizimit, si dhe mungesës së bombolave 8.5 kg. Kjo gjendje është bërë e ditur pas publikimit të disa emailave të zyrtarëve të SHSKUK-së dhe kompanisë “Medica”, nga deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli. Në këto emaila zyrtarët e SHSKUK-së dhe kompanisë ia hedhin njëri-tjetrit fajin për mungesën e oksigjenit

Qendra Klinike Universitare e Kosovës po rrezikon të mbetet pa oksigjen dhe kësisoj t’i rrezikoj edhe jetët e pacientëve nëpër klinika. Të paktën këtë e pranojnë edhe vetë zyrtarët, në një shkëmbim email-ash të cilat janë publikuar nga deputeti i LDK-së, neurokirurgu Haxhi Avdyli.