Veterani në tentativë

NGA SHKARKIMI NË SHKARKIM. Kush është Shqiprim Pula, anëtar i Bordit të ARKEP i njohur për skandale dhe shkarkime

Anëtari i Bordi të ARKEP-it (Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare), Shqiprim Pula është rekomanduar me unanimitet për shkarkim nga kjo pozitë nga Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Industri dhe Tregti.

Rekomandimin e komisionit të Kuvendit e kanë mbështetur dje në seancë plenare edhe deputetët, ndërsa votimi për shkarkim pritet të merret në seancën e radhës, ose kurdo që ka kuorum.

E Shqiprim Pula njihet për disa skandale publike.

Në vitin 2009 ai është përjashtuar nga Shërbimi Diplomatik i Kosovës për shkak të një skandali në Universitetin e Bryzhit në Belgjikë.

Aso kohe ai nuk kishte arritur ta përfundonte programin e magjistratures si bursist i Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Me këtë rast, nga autoritetet belge në drejtim të Ministrisë së Integrimeve kishte ardhur ankesa dhe e njëjta i ishte përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku më pas Pula është përjashtuar nga Shërbimi Diplomatik, shkruan Ballkani.info.

Përjashtimin e tij e ka konfirmuar edhe ish sekretari i MPJ-së, Fitim Gllareva.

“Ne aso kohe kemi marrë një informacion nga Ministria e Integrimit për një problem që ka pasur ky person. Problemi nuk më kujtohet se çfarë ka qenë, por personi në fjalë është larguar me pas nga Shërbimi Diplomatik”, ka thënë Gllareva për Ballkani.info.

Portali ka tentuar të flas edhe me Shqiprim Pulën, por ai sapo e ka hapur telefonin dhe i është thënë se po e thërrasim nga portali, ka thënë se është i zënë. Kur është pyetur nga gazetari se kur mund të flas, ai menjëherë e ka mbyllur telefonin.

Zotin Pula do ta pyesnim për skandalin në Belgjikë, pastaj edhe për refuzimin e ankesës nga Këshilli i Pavarur për Mbikqyrje të Shërbimit Civil lidhur me pezullimin e pozitës së shërbyesit civil në ARKEP.

Ballkani.info merr vesh se zotit Pula i ishte drejtuar me kërkesë Këshillit të Pavarur për Mbikqyrje të Shërbimit Civil për ngrirjen e pozitës së shërbyesit civil si shef i departamentit ligjor në ARKEP, pozitë të cilën e kishtë mbajtur deri në emërimin anëtar i Bordit më 12 janar të vitit 2016. Kjo kërkesë ishte në kundërshtim me Ligjin për Komunikime Elektronike.

Kolegji i shqyrtimit të ankesave në KPMSHC vitin e kaluar kishte marrë vendim që zotit Pula t’i refuzohet si e pabazë ankesa, duke e lënë në fuqi vendimin e Komisionit të ARKEP-it që është shkelje ligjore mbajtja ose pezullimi i pozitës së shërbyesit civil duke e mbajtur edhe pozitën e anëtarit të Bordit.

Ndërkohë, Shqiprim Pula njihet edhe për një skandal tjetër. Ai deshi të bëhej veteran i UÇK-së pa qenë fare në luftë. Ai figuron në listën e të refuzuarve në Zonën Operative të Pashtrikut, Brigada 125.

Shqiprim Pula nuk ishte bërë rehat as në pozita tjera që kishte ushtruar. Ai ishte larguar edhe si mësimdhënës nga disa kolegje private. /Ballkani.info/