Anglia

Nga nesër izolohen miliona qytetarë në Angli: “Varianti i ri i virusit është shqetësues”

Anglia do të vendosë në izolim miliona qytetarë duke filluar nga data 26 dhjetor, teksa autoritetet shëndetësore po mundohen të kufizojnë përhapjen e variantit të ri të COVID-19.

Urdhri për të qëndruar në shtëpi do të shoqërohet edhe me mbylljen e dyqaneve dhe restoranteve teksa nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se 4 personave në festat e fundvitit.

Ministri i shëndetësisë në Britani, Mat Hancock pohoi se dy raste të diagnostikuara me variantin e ri të virusit COVID-19 kishin udhëtuar në Britani nga Afrika e Jugut.

“Varianti i ri i virusit është shqetësues pasi është akoma më shumë i transmetueshëm dhe me sa duket ka pësuar mutacion të mëtejshëm nga varianti që u zbulua më parë në Mbretërinë e Bashkuar. Kemi vendosur të marrim këto vendime për të kufizuar përhapjen e gjerë të variantit të ri të koronavirusit. Fillimisht, po vendosim në karantinë rastet dhe personat e kontaktit me njerëzit e infektuar këtu në Mbretërinë e Bashkuar. Së dyti po vendosim kufizime për sa i përket udhëtimeve nga Afrika e Jugut”, u shpreh Matt Hancock, ministër i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe.

Ndërkohë varianti i zbuluar në Britani është konfirmuar edhe në Danimarkë, Itali, Gjibraltar, Holandë dhe Australi.

Ministri francez i shëndetësisë deklaroi se është shumë e mundur që varianti i ri i virusit të jetë duke qarkulluar edhe në Francë, megjithatë asnjë rast zyrtar nuk është konfirmuar.

Italia po e mbyll vitin me shifra të frikshme viktimash nga COVID-19. Me 70 mijë viktima të konfirmuara, shteti fqinj është vendi i pestë në botë që e kalon shifrën e 70 mijë fataliteteve dhe me bilancin tragjik më të lartë ndër shtetet e Bashkimit Europian.

Kryeministri Giuseppe Konte bëri të ditur se vendi do të mbyllej sërish për të evituar rritjen e rasteve gjatë periudhës festive.

Në Greqi, autoritetet janë përgatitur për të filluar vaksinimin masiv të popullsisë. Kompania BioNtech ka bërë gati 12.5 milionë doza të vaksinës teksa Europa ka filluar vaksinimin e kategorive më vulnerabël të popullsisë. Në disa shtete të BE-së vaksinimi do të fillojë brenda pak ditësh, ndërsa disa të tjerë në fillim të vitit të ardhshëm.