Alexei Kondratiev
Nga kandidat që të raportonte për Kosovën, në ushtar të Putinit në Ukrainë: Kush është Aleksey Kondratiev që shërbeu si pjesë e KFOR-ti
Alexei Kondratiev, është bërë pjesë e një brigade paramilitare ruse në Ukrainë. Kondratiev si pjesë e shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU, ka marrë pjesë në kuadër të KFOR-it edhe në Kosovë në vitin 2001.
Gjatë luftës së Sirisë, Kondratiev e kishte vizituar edhe marionetën ruse, diktatorin sirian Bashar Al Assad.
Disa vite ka qenë edhe pjesë e Dumës Ruse, i përfaqësuar në Këshillin e Evropës. Madje, në vitin 2019, me propozimin e Serbisë, ai ishte kandiduar për t’u zgjedhur raportues i Parlamentit Evropian për Kosovën. Pas reagimit të inteligjencës, diplomacisë dhe shoqërisë civile kosovare, e më pas edhe të miqve tanë perëndimorë, zgjedhja e tij u pengua.
Lidhjet e tij me Serbinë në vazhdimësi kanë qenë të forta. Ai ka takuar zyrtarisht dhe privatisht shpeshherë edhe liderë serbë, duke u nisur nga Aleksandar Vuçiqi e poshtë!
Çfarë ndodhi në vitin 2019?
Përpjekjet serbo-ruse për të kufizuar Kosovën vazhduan edhe në vitin 2019 dhe atë më intensitet të lartë.
Përveç lobimit për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga shtete të ndryshme, agresioni serbo-rus ishte drejtuar edhe në institucionet më të larta evropiane. Deputeti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit Evropian, rusi Alexei Vladimirovich Kondratiev ishte kandidat i këtij institucioni evropian për të raportuar për Kosovën.
Kondratiev, i cili e pati quajtur Kosovën “Zemra e Serbisë” në Beograd, mori mbështetje nga Serbia për ta fituar këtë kandidaturë. Gjithashtu, për mbështetje nga Serbia, Kondratiev mori mbështetje edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Evropian, kroaten e njohur për marrëdhënie të ngushta me serbët, Marija Pejcinoviq Burid.
Mirëpo, me angazhimin e vendeve mike të Kosovës, Kondratiev nuk arriti ta merrte këtë pozitë dhe rrjedhimisht tash është ushtar i Putinit në Ukraina.
Kondratiev, si anëtar i Këshillit Federal të Rusisë për Siguri dhe Mbrojtje, kishte ngritur zërin në vazhdimësi kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ndërhyrje kjo që u bë për të mbrojtur popullin e Kosovës nga gjenocidi kërcënues. /Ballkani.info/