Nga arat në Camp Nou – rrëfimi i Setienit, trajnerit të ri të Barcelonës

Quique Setien më shumë është i mësuar t’i kontrollojë fushat me lopë sesa të jetë në qendër të vëmendjes në një prej stadiumeve më të famshme botërore, por trajneri i ri i Barcelonës është zotuar se do të sjellë stil të pakompromis sulmi për katalanët.

Meqë e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij prej trajneri në ligat e ulëta të Spanjës, askush nuk do ta fajësojë Setienin nëse do të ndihej paksa nervoz me idenë e drejtimit të një ekipi me disa prej talenteve më të shtrenjta të botës së futbollit, raporton Reuters.

Por Setien është i etur të dëshmojë se e kaluara e tij modeste prej trajneri nuk do ta ndalojë atë që të lë shenjë me kampionët e Spanjës në Camp Nou.

“Dje po ecja pranë lopëve në fshatin tim e sot jam në fushën e stërvitjeve të Barcelonës duke trajnuar lojtarët më të mirë në botë”, ka thënë 61-vjeçari, i cili merr fronin nga Ernesto Valverde dhe ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2022.

“Është një klub vigan dhe kurrë nuk do të bëhet më i mirë se ç’është tani. Kurrë nuk e kam imagjinuar se do të jem këtu, madje as në ëndrrat e mia më të çmendura, prandaj dua të shfaq mirënjohjen time që më është dhënë ky shans”.

Barça ka fituar dy edicionet e fundit të La Ligas dhe aktualisht qëndron e para në tabelë por vendosën të shkarkojnë Valverden të hënën pasi u lodhën nga performancat joinspiruese të ekipit.

Setien ishte një zgjedhje befasuese për të marrë drejtimin e Barçës për shkak se jashtë Spanjës pak e njohin, ndonëse reputacioni i tij si një ideolog sulmues ka emocionuar fansat që ndiejnë se ekipi i tyre e ka humbur shkëlqimin.

“Objektivi im është të fitoj gjithçka që mund të fitohet dhe për mua nuk ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë duke u përmirësuar çdo vit. Rruga më e sigurt drejt fitores është duke luajtur mirë, është me rëndësi të mbahet mend kjo”, shtoi Setieni.

“Kam ide shumë të qarta, i dëgjoj të gjithë por është e vështirë të më bindin për t’i ndryshuar metodat e mia. Jam mbrojtësi më i madh i ekipit tim dhe do të vdes me idetë e mia”.

Setieni mori drejtimin e një klubi të kategorisë së parë për herë të parë me Las Palmasin më 2015 por famën e mori gjatë drejtimit dyvjeçar me Real Betisin ku përfshihet edhe fitorja mjeshtërore 4-3 si mysafir i Barçës.