Nga 74 fëmijët e kthyer në Kosovë, 36 prej tyre kanë lindur në Siri gjatë luftës

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se mesnatën e së premtes në Kosovë janë kthyer 110 kosovarë të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj , të shtunën në një konferencë të përbashkët me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se në mesin e personave të kthyer janë edhe katër luftëtarë.

“Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, tha Qalaj.

Ndërkohë ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri tha se është punuar disa muaj për kthimin e kosovarëve të cilët ishin në zonën e konfliktit në Siri.

Drejtori i Policisë së Kosovës, bëri të ditur se në zonën e konfliktit ende mbesin rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Ballkani.info mëson se nga 74 fëmijët e ardhur nga konflikti shumëvjeçar në Siri, 36 prej tyre kanë lindur atje.

Ata janë të vendosur në në fshatin Vranidoll, pak kilometra pak kilometra larg Prishtinës, në Qendrën për Mbrojtjen e të Huajve.

Selim Demolli, të cilit kthimi i fëmijëve të djalit dhe nusja po ia lehtësojnë dhimbjen e djalit që u vra.

“Nuk po ndjehem mire, pasi djali nuk u kthye, ai ka vdek atje. Mirëpo pasi u kthye fëmijët pak ma mirë diçka”, tha Demolli.

Familjarët do të mund t’i shohin të kthyerit nga Siria, pas 72 orëve qëndrim në Qendrën për Mbrojtjen e të Huajve.

Në mesin e fëmijëve shumica e tyre janë me vetëm njërin prind (nënë), ndërsa 9 fëmijë u kthyen pa asnjërin prind.

Duhet theksuar se më shumë se 400 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në gjashtë-shtatë vjetët e fundit në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik.

Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë kanë vazhduar të mbeten në atë zonë.

Lexoni edhe: EKSKLUZIVE: Ballkani.info sjellë EMRAT e 32 grave kosovare të kthyera mbrëmë nga Siria