Nga 22 milionë sa kishte premtuar Kurti se do të kushtonin banesat e çifteve, çmimin tash e ka çuar në 200 milionë

Dy vjet pas një premtimi që Albin Kurti e kishte dhënë për banesat e çifteve të reja, sot ka njoftuar se gjatë këtij viti do të nisë zbatimi i projektit për ndërtimin e tyre.

“Projekti për banim të përballueshëm është projekt unik dhe zbatohet për herë të parë në Kosovë. Duhet të theksohet se ky projekt është krejtësisht ndryshe prej banesave për rastet sociale që veç ekzistojnë nëpër Kosovë e që për këtë është aprovuar kredia prej 25 milionë euro nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës dhe shumë shpejt pritet të vijë në Kuvend si projektligj dhe marrëveshje”, ka thënë sot Kurti.

Bazuar në këtë premtim të Kurtit do të ndërtohen rreth 4 mijë banesa, të cilat sipas tij do të kushtojnë rreth 200 milionë euro.

Kurti po ashtu ka treguar se Ministria e Infrastrukturës më 16 shkurt 2022 ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për studim fizibiliteti me IFC.

“IFC-ja si pjesë e grupit të Bankës Botërore më datë 1 shkurt 2023 ia ka prezantuar ministrit dhe kabinetit të tij studimet dhe rekomandimet sesi projekti do të zbatohet në Kosovë”, ka deklaruar Kurti i cili ka thënë se nevojitet që edhe komunat të lejojnë hapësira për këtë projekt.

Lokacionet e para ai i ka përmendur komunën e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit, derisa sipas tij projekti është unik dhe do të jetë ndër më madhorët të Qeverisë së tij.

Por, dy vjet më herët kur atëherë pretendenti për kryeministër e kishte prezantuar këtë projekt kishte thënë se do të kushtonte vetëm 22 milionë euro.

“Edhe paratë do t’i gjejmë, 22 milionë euro kushtojnë ato apartamente, dy kilometra të autostradës”, kishte thënë Kurti, transmeton Insajderi.

Tash, projekti po del të kushtojë 178 milionë euro më shumë, sesa shuma që ishte paraparë fillimisht nga Kurti.

Ndryshe, Albin Kurti deklaronte se çiftet kur ta nënshkruajnë kurorëzimin, do ta nënshkruajnë edhe aplikimin për vizë, duke lënë të nënkuptohet aplikimin për banesën e re.

Ai e kishte parë këtë projekt si një mundësi për banim të përballueshëm për çiftet e reja.