Neymar zbulon se nuk ishte i gatshëm 100% për sfidën me Liverpoolin

Sulmuesi brazilian, Neymar udhëhoqi Paris Saint Germainin drejt fitores ndaj Liverpoolit mbrëmjen e kaluar, por 26 vjeçari ka zbuluar se nuk e kishte kaluar plotësisht lëndimin në kofshë.

Prezenca e Neymar në përballjen me “The Reds” ishte në dyshim pas lëndimit që e pësoi në ndeshjen miqësore që Brazili e zhvilloi kundër Kamerunit javën e kaluar.

Por, Neymar e nisi ndeshjen si titullar duke shënuar edhe golin e dytë të parisienëve, që në fund doli të jetë vendimtarë në triumfin 2-1 të kryeqytetasve.

“Nuk isha 100% i gatshëm. Por ishte një ndeshje e rëndësishme kështu që i lënduar apo jo duhej të isha në fushë”, tha Neymar për “L’Equipe”.

Ish anëtari i Barcelonës me golin e realizuar përballë Liverpoolit, u shndërrua në golashënuesin më të mirë brazilian në Champions League me 31 rrjeta.

Në anën tjetër, PSG rradhitet në vendin e dytë të grupit C me 8 pikë, ndërsa i duhet fitorja ndaj Crvena Zvezdës në Beograd për të siguruar biletën për fazën e eliminimit direkt të Champions Leagues.