Ylli brazilian i Paris Saint-Germainit, Neymar, ka luajtur përkrah Lionel Messit dhe Luis Suarez në Barcelonë e tani luan me Kylian Mbappen dhe Edinson Cavanin në PSG, mirëpo ai e ka edhe një tjetër lojtar me të cilin do të dëshironte të luante.

Në një intervistë me Fox Sports, Neymar ka bërë të ditur se atij do t’i pëlqente shumë të luante bashke me Eden Hazardin e Chelseat, pasi që beson se stilet e tyre të lojës përshtaten.

“Mendoj se Hazardi është lojtar që është paksa më ndryshe, stili i tij i lojës është i ngjashëm me timin. Mendoj se do të funksiononte mirë”, ka thënë Neymar.

Eden Hazard pritet që këtë verë t’i bashkohet skuadrës së Real Madridit. Për një transferim të tillë është përfolur shumë gjatë viteve të fundit, veçanërisht për shkak të deklaratave të vetë belgut, i cili thoshte se ëndërron të luajë për klubin madrilen.

Edhe për Neymarin është spekuluar se mund të jetë lojtar i Real Madridit në të ardhmen. Verën e kaluar ishte spekuluar aq shumë për këtë gjë, saqë Real Madridi ishte detyruar të dilte me deklaratë zyrtare për ta mohuar këtë gjë.

Megjithatë, të luajë përkrah Hazardit mund të mbetet vetëm dëshirë për Neymarin, i cili para gjashtë vjetëve u largua nga Brazili dhe iu bashkua Barcelonës. Pas gjashtë vjetëve larg vendlindjes, ai foli, duke qeshur, për një kthim të mundshëm në Brazil.

“Mendoj që mund të kthehem në Brazil përsëri. Askush nuk e di çfarë mund të ndodhë nesër. Njerëzit flasin se Neymari do të kthehej me vrap në Santosin e Brazilit”, shtoi ylli i PSG-së, duke qeshur.