Neymar tregon arsyen e tentimit për t’u larguar nga PSG-ja

Neymari e pranon se ai kishte tentuar të largohej nga Paris Saint-Germaini gjatë afatit kalimtar të verës sepse nuk kishte qenë i lumtur dhe kishte tentuar të ndryshojë, mirëpo insiston se tani do ta japë më të mirën e tij për klubin francez.

Sulmuesi brazilian Neymar e bëri të qartë dëshirën e tij për t’u larguar nga Paris Saint-Germaini gjatë verës, përkundër që e kishte forcuar transferimin te francezët vetëm para dy vjetësh për 222 milionë euro.

Pakënaqësitë e Neymarit në PSG bënë që dy klubet më të mëdha të Spanjës, Barcelona dhe Real Madridi të interesoheshin për të. Rivalët e “El Clasicos”, bashkë me Juventusin, hynë në garë për brazilianin, që në fund mbeti në PSG.

Drejtuesit e kampionit të Ligue 1 e bënë të qartë se ata do të ishin të gatshëm ta shisnin Neymarin, mirëpo çmimi që ata e kërkonin për brazilianin ishte jashtë kapaciteteve të Barcelonës dhe Real Madridit.

Për më tepër, mediat spanjolle raportonin se Paris Saint-Germaini preferonte t’ia shiste Neymari Real Madridit për shkak të marrëdhënieve të mira me madrilenët dhe marrëdhënieve tejet të tensionuara me Barcelonën.

Tifozët e PSG-së e fishkëllyen Neymarin kur ai u kthye në skuadrën e klubit francez këtë sezon. Megjithatë, braziliani iu është përgjigjur fishkëllimave dhe ofendimeve në stadium duke i shënuar katër gola në pesë ndeshje të Ligue 1.

“Mendoj se kur nuk je i lumtur, pavarësisht se çfarë pune bën, ti tenton të ndryshosh diçka, tenton të gjesh vende të reja, ndoshta edhe profesion të ri ku mund ta gjesh veten”, ka thënë Neymari, në një intervistë të dhënë për Otro.

“Kështu që, kjo është ajo që unë tentova ta bëj. Por, në fund qëndrova në Paris. Dhe, siç kam thënë shumë herë që nga atëherë, do ta jap më të mirën time për PSG-në. Jam i lumtur, Do ta jap maksimumin dhe do të tentoj të sjell fitore në Paris, veçanërisht në Ligën e Kampionëve”.

“Falë Zotit, sezoni ka nisur mirë. Kam shënuar gola dhe i kam ndihmuar skuadrës në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj që të mbetet kështu gjatë gjithë sezonit dhe në fund të ketë vetëm buzëqeshje në Paris”.

27-vjeçari i kishte humbur më shumë se tre muaj të sezonit 2018/19 për shkak të një lëndimi në shputën e këmbës. Lëndimin e njëjtë braziliani e kishte pësuar edhe në sezonin paraprak.

loading…