Dyshja

Neymar insiston: S’ka rivalitet mes meje dhe Mbappes

Neymar ka mohuar se mes tij dhe bashkëlojtarit të tij në Paris Saint-Germain, Kylian Mbappes, ekziston një rivalitet, duke insistuar se ata kanë marrëdhënie shumë të mira mes vete.

Braziliani Neymaridhe francezi Kylian Mbappe janë dy lojtarët më të shtrenjtë në histori të futbollit dhe ata i kanë shënuar nëntë nga 14 golat e fundit të PSG-së në katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat,.

Trajneri Thomas Tuchel e lavdëroi partneritetin mes Neymarit dhe Mbappes pas fitores së fundit me rezultat 3-1 të PSG-së kundër Montpellier dhe shtoi se që të dy do të duhet të jenë në formën e tyre më të mirë nëse duan ta fitojnë titullin e Ligës së Kampionëve me PSG-në këtë sezon.

Mediat franceze kanë raportuar se 20-vjeçari Mbappe ka qenë i irrituar nga mënyra se si Neymari privilegjohet në klub, mirëpo braziliani insiston se nuk ka aspak rivalitet të fshehur në shoqërinë e tyre.

“Lidhja ime me Kylianin është shumë e mirë. Ne jemi miq të mirë dhe i ndihmojmë njëri-tjetrit të fitojmë ndeshje, të shënojmë gola. Unë ndiej se kemi diçka të veçantë. Nuk ka konkurrencë mes nesh”, ka thënë Neymar për France Football.

“Ne i ndihmojmë njëri-tjetrit të shënojmë gola. Kur njëri shënon, tjetri thotë: “Tani e ke radhën të shënosh ti”. Kështu duhet të jesh në futboll – duhet të jesh bashkëlojtar i mirë, përndryshe gjërat do të shkojnë keq”.

Si Neymar, ashtu edhe Mbappe është raportuar se e dëshiron largimin nga Paris Saint-Germaini për ta nisur një sfidë të re në karrierë. Megjithatë, klubi francez thuhet se është më i gatshëm ta shesë Neymarin sesa francezin.