Fitorja minimale 1-0 e Brazilit ndaj Uruguait nuk ishte bindëse, por kapiteni i Brazilit, Neymar është ndarë i kënaqur me përballimin e një sfidë të ashpër me sukses.
Kombëtarja e Brazilit është ballafaquar me kundërshtarë jo shumë problematik menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Botëror, duke mposhtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, El Salvadorin dhe Arabinë Saudite, ndërsa testi i vetëm i vërtet para ndeshjes së mbrëmshme me Uruguain, ka qenë ndaj rivalit kryesor, Argjentinës, takim që përfundoi me triufmin e “Selecaos”.
Ylli i Paris Saint Germain ishte vendimtar ndaj Uruguait me golin e shënuar nga penalltia, ndërsa pavarësisht se e pranoi se ka ende punë për t’u bërë, Neymar ishte i kënaqur me paraqitjen.
“Jam më i lumtur se në krahasim me ndeshjet e fundit që i kemi zhvilluar sepse Uruguai është një kundërshtar që iu detyron të jepni më të mirën në aspektin ofansiv dhe defansiv. Ishim të vetëdijshëm se ata nuk të japin hapësira në ajër sepse nga ana fizike qëndrojnë mirë dhe kanë dy nga sulmuesit më të mirë në botë. Ka vend për përmirësime por ne largohemi nga kjo ndeshje të kënaqur”, tha Neymar.
Brazili zhvillon një tjetër ndeshje miqësore, kësaj rradhe ndaj Kamerunit të martën.







