Ylli i PSG-së

Neymar aludon në një transferim në Premier League

Ylli i Paris Saint Germain, Neymar ka thënë se në të ardhmen mund të jetë i interesuar të transferohet në Premier League, teksa ka deklaruar se secili lojtar i madh në një pikë të karrierës së tij duhet të luajë në kampionatin anglez.

Në të kaluarën braziliani ka qenë i lidhur me një kalim te dy klubet e Manchesterit, United dhe City.

Neymar kishte nënshkruar kontratë 5 vjeçare me PSG-në në verën e vitit 2017 kur e kompletoi transferimin e bujshëm në kryeqytetin francez nga Barcelona për shifrën rekord të 222 milionë eurove, teksa 26 vjeçari e ka lënë të hapur mundësinë për t’u larguar nga “Parc des Princes”.

“Është një kompeticion i madh, njëri prej më të mëdhenjëve në botë. Nuk e di se si do të jetë e nesërmja, por unë besoj se çdo lojtar i madh një ditë duhet të luajë në Premier League”, iu përgjigj Neymar pyetjes së mbrojtësit të Manchester Cityt, Benjamin Mendy në një video të publikuar në Youtube.

Neymar ka shënuar 11 gola këtë sezon në Ligue 1, ndërsa i ka shtuar edhe 4 të tjerë në Champions League me fanellën e PSG-së.