Myftiu nga Bujanoci

Nexhmedin Saqipi zgjidhet kryetar i Bashkësisë Islame të Serbisë, ishte shqiptari i vetëm që e festoi Ditën e Shtetit serb bashkë me Nikoliqin

Nexhmedin Saqipi është reis-ul-ulema i ri dhe kreu i Bashkësisë Islame të Serbisë, tha sot Muhamed Jusufspahiq, kryetari i Kuvendit Suprem të Bashkësisë Islame të Serbisë.

Në një deklaratë për gazetarët para xhamisë Bajrakli, ku u mbajt hytbe dhe lutje me rastin e ngjarjeve në Rripin e Gazës, Jusufspahiq tha se Saqipi u zgjodh javën e kaluar, por sot zyrtarisht është emëruar në mandatin e tij pesëvjeçar me një predikim (hytbe), transmeton Ballkani.info.

Jusufspahiq tha se në, siç theksoi ai, Palestinën tonë të përbashkët, e cila është Palestina e hebrenjve, myslimanëve dhe të krishterëve, është duke ndodhur fatkeqësi humanitare.

“Pa hyrë në atë se cili është shkaku dhe çfarë është pasoja, kush është shkaku dhe kush është pasojë, por si hoxhë, mysliman dhe burrë, para Komunitetit të Myslimanëve të Serbisë, e dënoj krimin qoftë si shkak apo si pasojë. Vetëm Zoti e di se cili është shkaku dhe çfarë është pasoja, ai është krijuesi i vetëm i të dyjave”, tha Jusufspahiq.

Kush është Nexhmedin Saqipi, myftiu shqiptar nga Bujanoci?

Nexhmedin Saqipi në vitin 2016 ishte bërë i njohur në Serbi. Ai ishte i vetmi shqiptarë që më 15 shkurt të atij viti mori pjesë në festimin e Ditës së Shtetit të Serbisë. Duhet kujtuar se vetëm dy ditë më pas, Kosova feston pavarësinë! E pikërisht më 17 shkurt të vitit 2016, mediat në Serbi ishin kujdesur që të publikojnë tekstin për pjesëmarrjen e Saqipit në festën serbe.

“Myftiu Saqipi i vetmi shqiptar për festimin e Ditës së Shtetit të Serbisë” ishte titulli i mediave serbe që sillnin një shkrim rreth Ditës së Shtetit serb dhe (mos)pjesëmarrjes së shqiptarëve në këtë  përvjetor, shkruan Ballkani.info.

Madje Saqipi edhe kishte marrë medalje nga Nikoliq.

“Për mua është nder dhe një njohje e madhe për komunitetin fetar islam në Bujanoc. Ftesën e  kam marrë me kënaqësi dhe isha i lumtur që të jem në ceremoni dhe që isha i vetmi shqiptar nga Serbia jugore”, kështu citohet të ketë thënë për median serbe, Jugmedia, Nexhmedin Saqipi dhe i cili ishte paraqitur si “myfti nga Serbia jugore”.

Sipas raportimit, “në këtë përvjetor, ky myfti ishte në të vërtetë i vetmi shqiptar. Udhëheqësit fetarë e as politikanët e tjerë shqiptarë nga Lugina e Preshevës nuk kishin marrë pjesë, duke e refuzuar ftesën e ish presidentit serb, Tomisllav Nikoliq.

Në mediat serb po ashtu është shfaqur edhe fotografi e përbashkët e Saqipit me ish presidentin serb, Nikoliq, mentorin e dikurshëm të Aleksandar Vuçiqit dhe bashkëpunëtorin e Vojisllav Sheshelit.

Saqipi aso kohe i kishte kritikuar liderët shqiptarë të Luginës për mospjesëmarrje në festën serbe.

“Jo, nuk i kuptoj politikanët tanë nga jugu i Serbisë, të cilët janë më të përfshirë në politikën e lartë. “Në vend që të punojnë për atë që i kanë zgjedhur qytetarët, për të ndikuar në cilësinë e jetës së të gjithëve, ata po kërkojnë një lloj bisede me Qeverinë, që nuk është punë e tyre”, thoshte myftiu Saqipi aso kohe.

Saqipi është shumë i afërt me struktura të vjetra të ushtrisë jugosllave dhe mik i afërt me shqiptarët e Vojvodinës, lojal ndaj shtetit serb, si Demo Berisha, shef i organizatës ‘Matica Albanaca’, organizatë joqeveritare kjo në emërtim së paku që merret me mbështetjen e politikave shtetërore serbe, që shpesh bien në ndesh me interesant e komunitetit shqiptar në Serbi dhe rajon me veprimtari në Novi Sad, kryeqytet i Vojvodinës, krahinë e Serbisë e shtypur nga autonomia e komunitetit etnik hungarez dhe pakica tjera. /Ballkani.info/