Neuer thyen rekord me Gjermaninë

Manuel Neuer e ka thyer rekordin e Gjermanisë për numër të ndeshjeve në të cilat e ka mbajtur portën e paprekur, me fitoren me rezultat 8-0 kundër Estonisë në kualifikimet për EURO 2020 të martën.

33-vjeçari nuk pranoi asnjë gol për të 37-tën ndeshje nga gjithsej 88 të zhvilluara me ekipin kombëtar të Gjermanisë, duke e kaluar kështu fituesin e Kupës së Botës dhe tri-herë fituesin e Kampionatit Evropian, Sepp Maier, që e kishte vendosur rekordin paraprak në vitin 1979.

Gjermania ishte e zjarrtë të martën në Mainz. Marco Reus dhe Serge Gnabry i shënuan nga dy gola, ndërsa edhe Leroy Sane, Ilkay Gundogan, Leon Goretzka dhe Timo Werner e gjetën portën gjithashtu.

Për shkak se të gjitha aksionet zhvilloheshin para portës së Estonisë – Gjermania i pati gjithsej 27 goditje – Neuer e pati një ndeshje të qetë. Estonia i bëri katër goditje drejt portës, mirëpo dy prej tyre ishin jashtë kuadratit të portës.

“Jam shumë i lumtur. Ne mund të jemi krenar me këtë që e kemi shfaqur gjatë dy ndeshjeve të fundit. Goli i parë në fillim të ndeshjes ishte shumë i rëndësishëm dhe pastaj e pamë se kundërshtari nuk ishte shumë i fortë”, tha Neuer pas ndeshjes.

“Natyrisht që ka gjithmonë fjalë në futboll, ne jemi një vend futbolli dhe të gjithë i kanë mendimet e tyre, por kjo gjë nuk duhet të na pengojë neve në punën tonë. Një garë e shëndetshme është gjithmonë e rëndësishme”.

Edhe pse Gjermania e ka një rekord të përsosur pas tri ndeshjeve në Grupin C të kualifikimeve për EURO 2020, ata ndodhen në pozitën e dytë, me tri pikë më pak se Irlanda Veriore, që e ka zhvilluar një ndeshje më shumë.