Portieri i Bayernit

Neuer thotë se Liverpooli është i thyeshëm

Përballja me Liverpoolin në fazën e 1\16-ave të Champions Leagues nuk paraqet frikë për portierin e Bayernit, Manuel Neuer, derisa 32 vjeçari është i bindur që skuadra e tij mund t’i mposht “The Reds”.

Dy gjigandët europian u shortuan dje në mesditë, me ndeshjet që pritet të zhvillohen në shkurt dhe mars.

Liverpooli dhe Bayerni kanë shfaqur paraqitja diametralisht të kundërta, me skuadrën e Klopp që kryeson klasifikimin në Premier League, ndërsa Bayerni ka mbetur 9 pikë prapa liderit të Bundesligës, Borussia Dortmund.

Forma aktuale nuk i bën përshtypje gardianit të bavarezëve, Neuer, i cili është i bindur për gjasat e skuadrës së tij për të vazhduar tutje.

“Ata po kalojnë një sezon të mirë dhe ne jemi të vetëdijshëm se Liverpooli ka luajtur në finalen e edicionit të kaluar. Sigurisht se as ata nuk do të jenë të kënaqur me shortin. Liverpooli është një skuadër e rrezikshme në kundërsulme ndërsa janë efikas edhe para golit. Por gjithashtu janë edhe të thyeshëm, teksa do të kenë përballë Bayernin që ka një sulm të mirë. Do të jetë ndeshje e madhe edhe në “Anfield” por edhe në “Allianz Arena”, deklaroi Neuer.

Trajneri nën presion i Bayernit, Niko Kovac mendon se dy skuadra kanë gjasa të barabarta për t’u kualifikuar për në turin tjetër.

“Është shorti më i vështirë i mundshëm. Liverpooli ishte finalist i sezonit të kaluar ndërsa janë lider në Premier League dhe do të synojnë triumfin në Champions League. Ne jemi Bayerni dhe jam i bindur se Liverpooli e di se çfarë e pret kur do të vijë në Mynih. Gjasat janë 50:50, kam besim se do të kalojmë tutje”, përfundoi Kovac.