Neuer nuk është i shqetësuar pavarësisht formës së dobët

Manuel Neuer nuk është i shqetësuar përkundër formës së dobët që ka pasur portieri i Bayernit dhe kombëtares gjermane.

32 vjeçari pas lëndimit që e mbajti jashtë për tërë edicionin e kaluar, kishte një paraqitje të dobët në Kupën e Botës që u zhvillua në Rusi teksa “Pancerat” u eliminuan që në fazën e grupeve.

Performanca e Neuer është vënë në dyshim edhe te Bayerni, derisa ka pësuar 8 gola nga 8 gjuajtje drejt portës në ndeshjet e fundit, por kjo nuk i ka ndikuar aspak ish gardianit të Schalkes.

“Këto janë gjëra të vjetra, asgjë e re. Jam në formë të mirë dhe kisha një ndeshje të mirë ndaj Borussia Dortmundit, kam besim te vetja. Duam ta mbyllim këtë vit që nuk ishte i mirë për ne në mënyrë pozitive. Jemi optimistë se mund të paraqitemi më mirë, ndaj Holandës e duam fitoren me çdo kusht”, nënvizoi Neuer.

Gjermania takohet me Rusinë të enjten në mbrëmje në nje ndeshje miqësore, ndërsa pas 4 ditëve përballet me Holandën në sfidën e fundit në Nations League.