Bayerni ruan besimin se mund të mbërrijë liderin e Bundesligës, Borussia Dortmundin në fazën e dytë të stinorit.

“Milionerët” kanë pasur një start të mirë të sezonit teksa kryesojnë tabelën me 6 pikë më shumë se Bayerni, por portieri i bavarezëve, Manuel Neuer nuk e ka përjashtuar mundësinë e parakalimit në fund të sezonit.

Dortmundi është mposhtur vetëm një herë nga 18 javë të zhvilluara, ndërsa në anën tjetër Bayerni ka vuajtur për vazhdimësinë e rezultateve duke u stabilizuar vetëm në fund të vitit të kaluar.

Neuer është i bindur se Bayerni mund të rikthehet lider në Bundesliga dhe të fitojë titullin e 7-të rresht.

“Dortmundi nuk është i pamposhtur. Mendoj se kemi parë dobësi të tyre gjatë fazës së parë. Ata nuk lëshuan shumë pikë por në shumë raste ishin afër të gabonin”, theksoi Neuer.

Bayerni po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme, derisa numëron 6 fitore rradhazi në Bundesliga, gjersa të dielën e zhvillon ndeshjen e rradhës kundër Stugarttit në shtëpi.