Manuel Neuer, portieri i Gjermanisë dhe Bayern Munich, ka dhënë një intervistë për ESPN, para ndeshjes së madhe, që do ta luajë sonte (21:00) kundër Liverpool, në Ligën e Kampionëve.
Trajneri i “The Reds”, Jurgen Klopp, e kishte ngacmuar më herët në lidhje me vizitën e tij në “Anfield”.
“Është një atmosferë shumë e veçantë në atë stadium, të gjithë ata që kanë luajtur aty ndajnë të njëjtin mendim. Më pëlqen zhurma e krijuar aty. I dua tifozët kur e inkurajojnë ekipin e tyre të zemrës gjatë gjithë lojës. Natyrisht, në një ambient të tillë është e vështirë të flasësh me shokët e ekipit, por do të përdorim gjuhën e trupit për të kuptuar diçka nga njëri-tjetri…”, – thotë Neuer.
Kapiteni i Gjermanisë vlerësoi gjithashtu kolegun Alisson Becker, i cili iu bashkua Liverpoolit verën e kaluar nga Roma, duke zëvendësuar një portier famëkeq gjerman, i cili bëri gafa në finalen e Championsit të sezonit të shkuar:
“Mua, me të vërtetë më pëlqen stili i tij, që nga Roma. E kam parë shumë herë duke luajtur, edhe me Brazilin. Alisson është duke bërë shumë mirë”.
Neuer foli edhe për rolin e Loris Karius në finalen e fundit të Ligës së Kampionëve, kundër Real Madridit: “Ajo ishte një ditë shumë e trishtuar për të gjithë portierët. Ndihemi shumë keq për atë që ndodhi”.

Së fundi, Neuer vlerësoi paraqitjen e Bayern Munich këtë sezon, teksa mbetet në lojë në të tria garat. Ai këmbënguli se ka parë përmirësim të të tijve në vitin 2019: “Ne jemi përmirësuar, vazhdojnë të marrin pjesë në të gjitha garat. Nuk do të heqim dorë nga titulli i Bundesligës deri kur të kemi mundësi matematike”.







