Kryeministri izraelit

Netanyahu: Izraeli do të vazhdojë operacionet tokësore në Gaza derisa të përmbushen të gjitha qëllimet

Izraeli do të vazhdojë operacionet tokësore në Gaza derisa të arrihen të gjitha qëllimet e tij, përsëriti kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu në një konferencë për shtyp të shtunën.

“Ne do të vazhdojmë luftën derisa të arrijmë të gjitha qëllimet tona dhe nuk mund t’i arrijmë këto qëllime pa manovra tokësore”, tha Netanyahu. “Nuk ka mënyra të tjera për t’i arritur këto qëllime përveç fitores, dhe nuk ka asnjë mënyrë për të fituar përveç manovrimit në tokë”.

Netanyahu tha se qëllimet e Izraelit janë lirimi i pengjeve, çrrënjosja e Hamasit dhe parandalimi i një “regjimi terrori” në Gaza, raporton CNN.

“Ne duhet t’i arrijmë këto synime; kjo është e vetmja gjë që është e rëndësishme për mua”, tha ai.

Netanyahu foli gjithashtu për pengjet e liruar, por nuk pranoi të jepte detaje mbi kushtet në të cilat ata mbaheshin në Gaza.

“Meqë provat janë mbledhur, ju e kuptoni se ata përjetuan ferrin”, tha ai.

Netanyahu përsëriti gjithashtu paralajmërimin e tij kundër përfshirjes së Hezbollahut në konflikt.

“Në veri, ne jemi duke operuar gjatë gjithë kohës kundër Hezbollahut, duke eliminuar skuadrat e terrorit që i çojnë terroristët më larg nga kufiri”, tha kryeministri izraelit.