Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit me komunën e Dragashit

Presidenti Agim Ademi, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi bashkëpunimin e dy institucioneve në fushën e sportit, veçmas në aspektin e përmirësimit të infrastrukturës së futbollit në këtë komunë.

Me këtë rast u diskutua dhe u vendos për ndërtimin e një fushe futbolli me bashkëfinancim, në kuadër të programit të UEFA-s “HatTrick”, e cila do të ofrojë mundësi klubeve dhe shkollave të futbollit në këtë komunë që të kenë kushte më të volitshme për stërvitje. Në këtë kuadër, u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit mes Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Komunës së Dragashit.

Kreu i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, theksoi se ndihma për sportin dhe mbështetja e klubeve të atjeshme nga ana e autoriteteve lokale është e vazhdueshme, teksa duke falënderuar kreun e FFK-së për gatishmërinë e tij për t’i përkrahur të rinjtë e kësaj treve me projekte konkrete, ai shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e futbollit në këtë komunë.