Më 2 maj, para katër ditësh, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni e bëri një postim në facebook dhe në foto doli bashkë me Entela Hysenin, drejtoreshën e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit.
Në këtë postim, Hyseni u mburr se si drejtoresha e tij u lirua nga aktakuza për keqpërdorim të detyrës, mirëpo ai nuk paraqiti asnjë dokument të gjykatës e as ndonjë njoftim të shkruar.
“Drejtoresha e Inspekcionit, Entela, u lirua nga aktakuza për keqpërdorim të detyrës – një konfirmim i qartë i integritetit të saj. Si profesioniste e re, e ndershme dhe e guximshme, ajo doli më e fortë nga një proces i padrejtë. Çdo tentativë për ta njollosur atë dhe qeverisjen e pastër që përfaqësojmë është e destinuar të dështojë. Drejtësia dhe e vërteta janë në anën tonë”, shkroi Hyseni.
Mirëpo, Hyseni sigurisht nuk tregoi se për çfarë ishte e akuzuar drejtoresha Entela e as që ekzistojnë shkallë tjera të ankimimit, shkruan Ballkani.info.
Ajo që bie në sy në këtë postim të kryetarit të Gjilanit është një urim që mori nga nënkryetarja, Leonora Morina Bunjaku.
“Drejtësia fitoi! Urime Entela! Urime kryetar”, shkruan nënkryetarja Morina Bunjaku.

Një urim i tillë do të ishte normal dhe i zakonshëm, sikurse zonja në fjalë mos të ishte motra e palës së përfshirë në rastin e drejtoreshës Entela Hyseni.
Për çfarë akuzohej Entela Hyseni?
Më 14 prill të këtij viti në Gjykatën Themelore të Gjilanit u mbajt seanca fillestare kundër drejtoreshës së Inspekcionit të këtij qyteti, Entela Hyseni.
Drejtoresha e Alban Hysenit po përballej me drejtësinë, teksa akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në një rast që lidhet me ankesat e Valon Salihut, pronarit te disa lokaleve në lagjen “Fidanishtja” në Gjilan, i cili është përballur me vështirësi në shfrytëzimin e tyre për shkak të një muri të ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Për rastin në fjalë, Ballkani.info kishte raportuar në vazhdimësi, teksa i njëjti rast, tanimë ka kaluar në fazën gjyqësore.
Gjatë asaj seance është trajtuar çështja penale ndaj Entela Hysenit, drejtoreshë e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit, e cila akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pikërisht për rastin e Valon Salihut.
Prokuroria paraqiti aktakuzën, duke theksuar se ekziston dyshim i bazuar se Hyseni, në cilësinë e saj si drejtoreshë e Inspekcionit, nuk ka autorizuar personat përgjegjës për ekzekutimin e rrënimit të murit të lartcekur.
“Nuk e pranoj veprën penale, sepse nuk e kam kryer,” ishin fjalët e vetme të cilat i tha e pandehura Entela Hyseni para trupit gjykues.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i të dëmtuarit Valon Salihu, avokati Alban Makolli, iu bashkëngjit ndjekjes penale dhe kërkoi kompensim të dëmit, duke theksuar se rrënimi ende nuk është ekzekutuar, ashtu siç përshkruhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Entela Hyseni nga data 02.07.2024 nuk kishte përmbushur detyrimet e saj ligjore, duke mos ekzekutuar aktvendimin për rrënim, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Valon Salihut. Kjo e bën atë përgjegjëse për shkelje ligjore, sipas Prokurorisë.
Cila është lidhja e nënkryetares së Gjilanit në rastin e “murit problematik” ku po vazhdon procesi gjyqësor?
Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, të martën e javës së tretë të janarit ishte paraparë të mbahet seanca fillestare ndaj të pandehurve Agron Morina (Elita SHPK) dhe Nexhmedin Alimi (Engji ShPK) për veprën penale “ndërtime të kundërligjshme dhe uzurpim të pronës”.
Mirëpo për shkak të mungesës së njërit nga të pandehurit, kjo seancë dështoi të mbahej.
Mbajtja e seancës ishte caktuar të mbahej pasi që ndërtimet e paligjshme detyruan Valon Salihun të paraqes kallëzim penal ndaj dy kompanive – Engji SH.P.K dhe Elita SH.P.K, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ku me datën 23 gusht të viti 2024 kjo prokurori kishte ngritur aktakuzë ndaj këtyre dy kompanive për veprën penale ndërtime të kundërligjshme dhe uzurpim të pronës.
Avokatja e të dëmtuarit Valon Salihu, Elvira Haziri, kishte thënë për Ballkani.info se këto lokale Salihu, i ka blerë për qëllime afariste dhe është përkujdesur që të njëjtat të kenë dokumentacionin valid në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kështu që këto lokale janë ndërtuar në bazë të një leje ndërtimore dhe të njëjtat janë të legalizuara. Ajo thotë se për këto lokale ka pranim teknik dhe certifikatë të pronës, pra ekziston në plotni e drejta e pronësisë për to në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Por, pavarësisht kësaj prapë se prapë Kompanitë Engji SH.P.K dhe Elita SH.P.K, pranë lokaleve të Valon Salihut kanë kryer ndërtim të paligjshme, uzurpim të pronës dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë ndryshuar në terren gjendjen faktike.
Mirëpo ky aktvendim nuk është ekzekutuar deri më tani edhe pse pala e dëmtuar në këtë rast, ka paraqitur kërkesa të vazhdueshme, asnjëherë askush nuk i është përgjigjur. Por këtë nuk po e zbaton drejtoresha e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit, Entela Hyseni, kjo pasi dyshohet se ka ndikim nga nënkryetarja e Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, e cila është motra e Agron Morinës, investitorit të Elita SHPK.
E për ta bërë më të qartë këtë situatë, tregojnë edhe fotografitë që do t’i paraqesim më poshtë. Në këtë fotografi shihen se bashku treshja që duket se qëllimisht nuk po e zbaton vendimin që Salihut t’i lejohet shfrytëzimi i lokaleve të tij.

Në fotografitë e publikuara nga Lumi Press të cilat janë shkrepur në Gala Mbrëmjen përmbyllëse të Flakës së Janarit, shihen bashkë dhe të shoqëruar drejtoresha e Inspekcionit Entela Hyseni, nënkryetarja e Gjilanit Leonora Morina Bunjaku dhe i pandehuri, Agron Morina, vëllai i nënkryetares Morina-Bunjaku.
Duhet përmendur edhe një fakt tjetër, se i dëmtuari Valon Salihu ka bërë tashmë Kallëzim Penal ndaj drejtoresh së Inspekcionit, Entela Hyseni për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /Ballkani.info/
LEXONI EDHE:







