Nëna e dy vëllezërve të vrarë në Deçan thotë se dënimi i ndaj të akuzuarit është sikur të kishte “mbytur një pulë e jo dy njerëz”

Gjykata e Apelit, të enjten ka shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe mbrojtësit të të akuzuarit Binak Panxha i cili nga Gjykata Themelore në Pejë ishte dënuar me 23 vite burgim për vrasjen e vëllezërve, Ramiz dhe Arsim Berisha.

Ai akuzohej se natën e 21 korrikut të vitit 2017, pas një mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, kishte privuar nga jeta vëllezërit Arsim dhe Ramiz Berisha në pyllin e fshatit Kosuriq të Deçanit, raporton “Betimi për Drejtësi”’.

Dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë, nëna e dy vëllezërve të vrarë, Shake Berisha, e konsiderojë si shumë të butë duke shtuar se pas vrasjes së djemve, asaj i është mbyllur dera pasi edhe edhe dy djemë të tjerë që i kishte pasur ishin vrarë.

“71 vjet plakë rrugëve, pa djalë, pa qikë pa kërkon, ma ka mshel derën, edhe me ja dhon kaq pak vjet burg, sikur me pas mbyt një pulë e jo dy njerëz”, tha shtoi e dëmtuara Berisha.

Sipas Berishës, prerja e pyllit nuk është arsyeja e vërtetë e vrasjes së djemve të saj, sepse siç tha, djemtë e saj kanë pasur 11 hektar pyll, mal dhe pasuri të tjera dhe se nuk kanë pasur nevojë që të presin malin e të pandehurit.

“Na i kem 11 hektar tokë e mal e fushë, shpi e përmendur për pasuni jena kon at e di çdokush. Unë e kom lut Pejën me than ky për çka i ka vra, për çka mi ka vra djemtë e mi ky” tha ajo.

Sipas të dëmtuarës, djemtë e saj janë privuar nga jeta për arsye të tjera për çka kërkoi që të zbardhet e vërteta.

“Ky mi ka vra djemtë mu për interesa të veta, edhe s’mi ka vra vetëm, por me djalë dhe me vllazën të vet, si ka bo ato sene vetëm” shtoi Berisha.

Ajo tha se Gjykata Themelore në Pejë i kishte shkelur të drejtat e saj.

“As sem ka lan kush me fol, as sem ka vet kush se ku rrin, nëse jom qu me fol më kanë qit zhag përjashtë” tha ajo gjatë deklarimit të saj.

Berisha deklaroi se kërkon nga gjykata që të vendos drejtësi. “Unë du drejtësi, të drejtën teme, kta e meritojnë burgun, me i qit në konop” shtoi ajo.

Ajo tha se do të kërkojë drejtësi dhe nuk do të ndalet derisa të zbardhet e vërteta.

“Çdo derë ka me trokit, s’ka me lan vend pa shku me u anku” tha Berisha.

Pas përfundimit të seancës, të dëmtuarës iu dha ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Panxha, avokati Besnik Berisha përmes ankesës së ushtruar mbi të gjitha bazat ankimore ka kërkuar nga Gjykata e Apelit, që aktgjykimin e atakuar ta ndryshoj dhe të mbrojturin ta shpall të pafajshëm pasi që sipas tij, nuk ka asnjë provë me të cilën vërtetohet se i mbrojturi i tij është kryerës i kësaj vepre penale.

Ai po ashtu ka kërkuar që në rast të mos ndryshimit të aktgjykimit, atëherë rasti të kthehet në rigjykim.

Sipas avokatit, provat e administruara në të cilat gjykata e shkallës së parë e mbështet aktgjykimin nuk vërtetojnë se i mbrojturi i tij ka kryer vetë vrasje.

Ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë ka ushtruar edhe Prokuroria Themelore në Pejë. Me anë të kësaj ankese, prokuroria po kërkon që ndaj të akuzuarit të ashpërsohet dënimi.

Këtë ankesë të prokurorisë themelore e ka mbështetur edhe Prokuroria e Apelit, e cila përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, ka propozuar që ndaj të akuzuarit të ashpërsohet dënimi.

Ndryshe, Binak Panxha ishte dënuar me 23 vite burg nga Gjykata Themelore në Pejë pasi që ishte shpallur fajtorë për vrasjen e vëllezërve Ramiz dhe Arsim Berisha.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Binak Panxha akuzohej se më 21 korrik 2017, rreth orës 21:30, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të pandehurit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drurë në pyllin e të pandehurit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.