Mesfushori francez

Nëna dhe agjentja e Rabiot mohon arritjen e marrëveshjes me Barcelonën

Adrien Rabiot nuk ka arritur një marrëveshje me Barcelonën, ka konfirmuar nëna dhe agjentja e lojtarit, teksa ka shtuar se 23 vjeçari e ka blerë lirinë e tij nga Paris Saint Germaini duke vendosur që të mos rinovojë me kampionët e Francës.

Rabiotit i përfundon kontrata me PSG-në në fund të këtij sezoni, ndërsa më herët gjatë javës drejtori sportiv i klubit, Antero Henrique zbuloi se negociatat për rinovimin e kontratës kanë ndaluar, gjersa tregoi se mesfushori francez do të lihet në bankën rezervë si dënim për mos respektimin e fjalës së dhënë.

Gazeta franceze “Le Parisien” raportoi se Rabiot kishte arritur një marrëveshje me Barcelonën, ndërsa tifozët e parisienëve përmes një baneri dhanë mesazhin se nuk ishin nevojë për talentin e dalur nga akademia e kryeqytetasve.

“Nuk ka marrëveshje me asnjë klub. Nuk e di se kush i filloi këto spekulime. Nuk kemi të drejtë të bisedojmë me asnjë klub deri me 1 janar të vitit të ardhshëm. Unë preferoj që të mbetem nën hije të diskutimeve por jam sulmuar nga Henrique dhe mora vendimin të përgjigjem. Gjatë verës i kemi treguar pikërisht Henriques se Rabiot dëshiron të jetë në listën e lojtarëve që janë në shitje, nuk shoh mosmbajtje të fjalës”, deklaroi Veronique Rabiot.

Nëna e futbollistit siguroi se nuk ka kthim prapa nga vendimi për mos rinovimin e kontratës, ndërsa zbuloi se gjatë verës së kaluar kishin pranuar një ofertë nga Barcelona, e cila ishte refuzuar nga PSG-ja.