Negociatat mes viktimës dhe fajdexhiut në Pejë – arrestimi nga policia

Një person nga qyteti i Pejës kishte kërkuar para nga një person tjetër në vlerë prej 13 mijë euro, ndërsa i dëmtuari për të njëjtën shumë është detyruar t’i kthejë 15 mijë euro si kamatë.

Prokurori Ersan Qavolli rreth dy javë më parë kishte filluar trajtimin e rastit ndërsa ishte marrë edhe leja që të zbatoheshin masat e fshehta për shkak se viktima do të takohej me personin që kishte marrë fajde.

Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë viktima e fajdeve është takuar fizikisht me të dyshuarin.

“Paret, nesër mbrëma në kësi vakti t’i jap edhe 1,100 euro, a është kështu? Ja çon interesin atij njeriut, unë nesër mbrëma të kallxoj se kur muj me dalë me t’i dhanë paret komplet”, kishte thënë viktima e fajdeve.

Vlera e parave ishte ngritur nga i dyshuari.

“Nesër mbrëma jo 1,100 po të mbesin 2,200 euro”, ka thënë i dyshuari.

Viktima kishte kërkuar afat për dorëzimin e parave.

“A bën nesër mbrëma. Se tash janë duke mu sjell fëmija e, që dy herë ishin ksajde e nuk po du me hy telasheve”, kishte thënë viktima.

Ndërsa, i dyshuari ishte përgjigjur: “Fëmija e, me jau q* edhe nënën edhe babën unë kur jam këtu. I ki 2,300 euro i ki tash brenda, plus nesër janë 1,200 euro…”.

“A po i bëni minus 1,300 të sotit?”, kishte kërkuar viktima.

Dhe i dyshuari kishte larguar shumën të cilën viktima e fajdeve e kishte dërguar atë ditë.

“Hala nuk i kam marrë, për momentin ku jemi, tash menjëherë po i bëj minus 2,200 edhe 2,200 euro po mbesin”, ka thënë i dyshuari.

Sipas raportimit të viktimës, ai kishte marrë para nga tre persona dhe në këtë rast Prokuroria në bashkëpunim me Policinë kanë përcjellë edhe një takim tjetër në mes të viktimës dhe të dyshuarit tjetër.

I dëmtuari në këtë rast kishte marrë para me fajde në vlerë 5 mijë euro dhe kishte paguar 7 mijë euro, pasi ishte paguar kjo shumë i dëmtuari kishte pranuar edhe 20 mijë euro të tjera, ndërsa është detyruar të paguajë 22 mijë euro për çështje të kamatës.

Pasi viktima dhe i dyshuari ishin të ulur në të njëjtën tavolinë, i dyshuari kishte pyetur viktimën se a e dinte se sa para i kishte borxh?

“Unë e di 20 mijë janë komplet, copë e madhe, një 2 mijëshe e kemi marrë njëherë i kemi pagu nga 350, katër herë, tani t’i kam pru te NN 2 mijë të kamatës mujore, që t’kam përcjellë muaj për muaj. Tani të kam mbet edhe 3 mijë, a jam gabim? Nëse jam gabim korrigjom”, kishte thënë viktima.

I dyshuari i kishte konfirmuar.  “Mirë je, jo qashtu je po unë nuk i di me detaje mirëpo ti e din 20 mijë janë kanë, 5 mijë ke pas me mi kthy kur më shkrujte që më the je ka shkon për Durrës”, thotë i dyshuari.