Shorti i mesditës së djeshme i rezervoi Juventusit një kundërshtar të vështirë në fazën e 16 skuadrave më të mira në Champions League, me “Zonjën e Vjetër” që do të përballet me Atletico Madridin.

Ish lojtari, tani drejtuesi i Juventusit, Pavel Nedved nuk ka qenë i lumtur me skuadrën që i ka ofruar shorti, derisa ka deklaruar se “Bianconerët” ishin të pa fat.

Juventusi po vazhdon me formën e mirë në Serie A, kompeticion në të cilin ka triumfuar në 7 vitet e fundit. Megjithatë tablo ndryshon sa i përket Champions Leagues, ku Juventusi për herë të fundit ka fituar në sezonin 1995-96.

Skuadra e Allegrit u përforcua gjatë verës me pesë herë fituesin e Topit të Artë, Cristiano Ronaldon, por Nedved beson se ylli portguez nuk mund të ia dalë i vetëm përballë “Los Colchoneros”.

“Nuk kishim shumë fat. Atletico është një skuadër e vështirë për t’u ballafaquar, ata kanë një stil më shumë italian sesa europian. Mbrojtja e tyre është e fortë dhe kompakte që dinë të dërgojnë topin drejt sulmit. Parashikoj dy ndeshje të forta me pak gola. Jemi shortuar me skuadrën më të vështirë të mundshme, por nuk ka problem lidhur me këtë fakt. Cristiano mund të jetë njeriu i Championsit por e gjithë skuadra është e fortë, ne jemi të vetëdijshëm për aftësitë tona për t’u kualifikuar për në çerekfinale”, theksoi Nedved.

Ndeshja e parë pritet të zhvillohet me 20 shkurt në Madrid, kurse ajo e kthimit luhet me 13 mars në Torino.