Në vendin e Vasfije Krasniqit, Nasuf Bejta sot betohet si deputet në Kuvendin e Kosovës

Nasuf Bejta nga partia ‘Guxo’ ka njoftuar se sot në seancën e radhës në Kuvendin e Kosovës do ta bëjë betimin si deputeti më i ri.

Ai tha se para se ta bëjë betimin procedural e ligjor në Kuvend, dëshiron të betohet para qytetarëve “të nderuar e veçanërisht para juve që më besuat me votën tuaj”.

“Zotohem se do të angazhohem për mirëqenien e popullit tim dhe mirëbërjen e shtetit të mirëfilltë. Me këtë rast, zonjës Vasfije Krasniqi Goodman i dëshiroj shërim sa më të shpejtë e shëndet të qëndrueshëm. Ajo është dhe do të mbetet një shembull i gruas së guximshme me karakter të fortë e të pathyeshëm”, shkroi ai në Facebook.

Profesori nga Vushtrria do ta zëvendësojë Vasfije Krasniqin, e cila për shkaqe shëndetësore ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetes së LVV-së.