Ibish Ahmeti, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka shërbyer si mjek, në një rrëfim ekskluziv për ‘Gazeta Blic’, ka folur për komandantin e kompanis së parë, batalioni dy Budakovë-Therandë, Xhemajl Rexhaj.
Ai rrëfen momentin kur Xhemajl Rexhaj ishte plagosur rënd në vijën e frontit dhe e kishin dërguar për trajtim në spitalin Ushtarak në Budakovë të Suharekës.
Ahmeti thotë se atë ditë përveç lodhjes fizike ishte lodhur edhe shpirtërisht, pasi që sipas tij, komandant Xhema i kishte ndihmuar shumë herë me furnizim me barna dhe kur ky i fundit kishte nevojë për trajtim, spitali Ushtarak kishte mungesë.
“Më 23 gusht të vitit 1998 ka qenë dita më e lodhshme për mua, edhe fizikisht edhe shpirtërisht. Që në mëngjes brenda gjysmë ore kanë ardhur 10 të plagosur, fillimisht ka ardhur komadant Xhemajl Rexhaj, pas tij edhe 9 të tjerë, spitali ushtarak nuk ka pasur vend, ka pasur krejt 9 shtretër edhe i kemi pasur 2 të plagosur para këtyre dhe jemi detyruar me i shtri qysh kemi mundur. Xhemajl Rexhaj ka qenë i plagosur shumë rëndë ka pasur plagë shpuese në krahrorë dhe për mua si mjek s’ka pasur moment më të vështirë kur Xhemën e kisha përpara dhe nuk mundësha me i ndihmu asgjë. Me Xhemën isha njohur qysh nga fillimi i luftës dhe daljës së UÇK-së në Budakovë ai na kishte ndihmuar shumë herë me furnizim me barna dhe kur ai kishte nevojë më së shumti ne nuk kishim mundësi, jo pse nuk dëshironim por nuk kishim mundësi përshkak të mungesës së mjeteve, mungesës së ekspertëve mjekësor sepse ne ishim vetëm mjek të përgjithshëm, disa specializime që s’kishin fare të bënin me luftën edhe pse ne në raste të caktuara jemi detyruar të jemi edhe ortoped e kirurg”, thotë Ahmeti.
Derisa fliste për mungesën e barnave, Ahmeti thotë se Xhemajl Rexhaj nuk ka kërkuar ndihmë për veten, por për ushtarët e tij.
“Sot e kësaj dite shikimin e Xhemës e mbaj mend dhe më kujtohet shumë freskët kur në vend se të ankohej për dhimbjen e veta ai interesohej për ushtarët përreth, atë ditë prej orës shtatë të mëngjesit deri në orën tre pasdite as nuk jam ulë as nuk kam ngrënë, ka qenë lodhje fizike maksimale, por për mua lodhja më e madhe ishte shpirtërore që nuk kisha çfarë t’i bëjë konektisht Xhemës sepse të tjerët ishin më pak të plagosur”, deklaron Ahmeti.
Tutje, Ahmeti thotë se kishin bërë të pamundurën që ta transferonin në spitalin Ushtarak të Pagarushës me shpres se atje do të operohej dhe të shpëtonte, mirëpo sipas tij, përshkak të rrethanave të luftës operacioni ishte vonuar shumë dhe Xhemajl Rexhaj nuk i kishte shpëtuar plagëve.
“Kemi bërë të pamundurën që Xhemën ta transferojmë në spitalin Ushtarak të Pagarushës me shpres se atje do të operohej, pasiqë atje kishte kirurg dhe shpresa e fundit ishte që ndoshta do të shpëtojë. Prej ditës kur e kam përcjell Xhemën në spitalin e Pagarushës e kam mbajtur rrypin, revolen dhe disa pjesë të uniformës, me shpresë që ai do të kthehej një ditë dhe t’i vesh prapë, por për fatin e keq edhe atje kishte çrregullime, sulme nga forcat serbe, operacioni u bë pak me vones dhe nuk shpëtoj”, thotë ai.
Xhemajl Rexhaj, ka rënë Dëshmorë më 26.08.1998, në luftën e fundit të Kosovës.







