Turqi

Në Turqi lëshohet urdhër-arrest për mafiozin turk që ka shoqëri edhe me ministra e politikanë kosovarë

Me kërkesë të Kryeprokurorisë Republikane të Ankarasë në Turqi, është lëshuar një urdhër-arrest për kreun e organizatës së krimit të organizuar, Sedat Peker, shkruan Agjencia Turke Anadollu, shkruan Reporteri.net.

Në njoftim të kryeprokurorisë thuhet se ndaj të dyshuarit Peker është duke u kryer një hetim.

“Për arsye se i dyshuari Reis Sedat Peker është i arratisur jashtë vendit, me kërkesë të Kryeprokurorisë Republikane është lëshuar urdhër-arrest për kapjen e tij”, thuhet në njoftim.

Peker siç është raportuar besohet se aktualisht gjendet në Dubai.

I njëjti gjatë vitit 2019 kishte qëndruar në Kosovë, dhe ai ka një leje të përkohshme qëndrimi në vendin tonë valide deri më 29 dhjetor, 2021.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Peker ishte takuar edhe me politikanë kosovarë.

Fikrim Damka, udhëheqës i Partisë Demokratike Turke në Kosovës, tani deputet kishte zhvilluar takime me Sedat Pekerin. Në internet gjenden disa fotografi në të cilat Peker shihet i shoqëruar nga ministri Damka.

Në njërin nga takimet që u zhvillua mes Pekerit dhe Damkës, i pranishëm ka qenë asokohe edhe ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Yildiray Bayram, që po ashtu është pjesëtar i komunitetit turk në Kosovë.

Në vitin 2019, Peker ka vizituar edhe Komunën e Mamushës, komunë kjo që banohet kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit turk. Aty është pritur zyrtarisht nga kryetari i kësaj komune, Abdylhadi Krasniç.

Gjatë një vizite tjetër në Kosovë, Peker, kishte takuar edhe kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma. Në një reagim të tij, Suma kishte mohuar të ketë njohur apo pasur informacione për Sedat Pekerin para se ta takonte.

Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, në nëntor të vitit 2020 kishte deklaruar se nuk është në dijeni për të kaluarën kriminale të turkut, Sedat Peker.

“Te unë kush të vjen në zyre, ndaq fëmijë, ndaq plak, ndaq hajn, ndaq shpihun, kushdo që vjen, unë nuk i di, dhe e pranoj çdokënd. Kemi raste kur vijnë edhe prej jashtit. Vijnë biznesmenë, policë, vinë gjithçka edhe i pranoj”, kishte deklaruar Suma për mediat.

Ai kishte shtuar se “njeri mas njeri” siç shprehet Suma, e kanë njoftuar se do të vijë një afarist turk.

“M’kanë njoftu që kanë ardhë biznesmen turk, edhe unë i kom thonë le t’vjen në takim. Nuk ka pasë kurgjo konkrete. Edhe dikush në Kosovë nëse u denu, edhe don mu taku, edhe ma ti s’ki drejtë me taku a? Është mirë kur ja dinë biografinë mos me pas bashkëpunim”, ishte shprehur Suma.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, për herë të fundit Peker ka hyrë në territorin e Kosovës më 18 janar, 2021 dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë pas vetëm dy ditësh.