Gjatë ditës së sotme në Skenderaj është përuruar stadiumi ndihmës i futbollit, projekt i bashkëfinancuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UEFA.

Inaugurimin e tij e bëri ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me këtë rast ka ofruar përkrahje për të gjithë sportistët, dhe tha se stadiumi kombëtar në Drenas do të jetë më i bukuri në Evropë. Ai tutje u shpreh se ndërtimi i 12 stadiumeve tregon përkushtimin e institucioneve ndaj sportit.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi u shpreh se ndërtimi i 12 stadiumeve ndihmëse të futbollit po bëhet me qëllim të krijimit të kushteve për klubet e futbollit.

Ai u zotua se brenda gjashtë muajve të vitit të ardhshëm do përfundojnë 12 stadiumet ndihmëse të futbollit. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se stadiumi ndihmës në Skenderaj i plotëson standardet e Evropës, dhe ky lloj tereni sportiv është i pari në Ballkan.