Në qeverisjen e Haskukës, Komuna e Prizrenit pagoi 125 mijë euro për përfaqësim ligjor edhe pse paguante zyrtarët komunalë

Komuna e Prizrenit gjatë kohës sa ishte e udhëhequr nga Mytaher Haskuka i Lëvizjes Vetëvendosje ka keqpërdorur rreth 125 mijë euro për përfaqësues ligjorë, pavarësisht se të tillë kishte edhe në komunë.

Organizata “Democracy Plus” ka publikuar një infografikë sipas së cilës, Komuna e Prizrenit ka paguar gati 125 mijë euro për përfaqësim ligjor një kompani, pavarësisht faktit se paguante edhe zyrtarë ligjorë komunal për këtë detyrë, raporton Demokracia.com.

Sipas kësaj organizate në vitin 2020 dhe 2021 Komuna e Prizrenit atë kohë e udhëhequr nga Mytaher Haskuka kishte bërë kontratë me të njëjtën kompani për përfaqësim ligjor.

“Komuna e Prizrenit ka paguar 124.962.19 euro për përfaqësim ligjor në anën tjetër paguan edhe zyrtarë komunal për këtë detyrë. Në vitin 2020 dhe 2021, Komuna e Prizrenit ka lidhur kontrata me të njëjtin operator ekonomik”, bën të ditur Demokracy Plus.

Sipas kësaj organizate në vitin 2020 për 6 muaj Komuna e Prizrenit kishte lidhur kontratë në vlerë prej 16 mijë e 364 euro ndërkaq vlera e gjithë vitit të kësaj kontrate është 62 mijë e 294.29 euro. Po ashtu me të njëjtin operator ekonomik Komuna e Prizrenit gjatë kohë sa ishte e udhëhequr nga Mytaher Haskuka ka lidhur kontratë me po të njëjtin operator ekonomik për tërë vitin në vlerë prej 46 mijë e 303.90 euro.

“Komuna e Prizrenit ka të ndarë zyrën për përfaqësim të komunës e cila ka për obligim përfaqësimin e komunës”, bën të ditur Demokracy Plus.

Theksojmë se që nga dhjetori i vitit 2021, Komuna e Prizrenit udhëhiqet nga Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës. /Demokracia.com/