Pompa e derivateve

Në pronat publike që u liruan përball AKI-së, pritet të ndërtohet objekti i Ministrisë së Bujqësisë

Më vendim të Ministrisë së Bujqësisë e me asistim të Policisë së Kosovës, të enjten janë liruar dy prona publike në Zonën Industriale që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën

Telegrafi ka siguruar vendimin e ministrisë për lirimin e këtyre pronave që ndodhen në këtë zonë, e të cilat janë përball Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 0,55 ari që shfrytëzohej nga N.T.SH “Liria FC” dhe një sipërfaqe tjetër prej 22 ari ku ishte vendosur pompa e derivateve “Patroni”.

Në atë hapësirë publike pritet të ndërtohet objekti i Ministrisë së Bujqësisë.

Ndryshe sipas vendimit të ministrisë, N.T.SH. “LIRIA FC” dhe pompa e derivateve “Patroni” nuk kanë respektuar kontratën për dhënien në shfrytëzim me qira të tokës bujqësore.

Në vendim thuhet se kontrata mes Ministrisë së Bujqësisë dhe N.T.SH “LIRIA FC” ka skaduar me 01.01.2024, ndërkaq kontrata mes këtij dikasteri dhe biznesit “Patroni” ka skaduar me datë 31.12.2023.

Tutje bëhet e ditur se ministria disa herë iu ka kërkuar që t’i lirojnë pronat vullnetarisht, megjithatë edhe N.T.SH “LIRIA FC” por edhe “Patroni” nuk kanë përmbushur obligimet kontraktuale.